Maqedoni

Rritet numri i të rinjve me sulm në zemër, Pocesta: Shkaktarët janë stresi, pasiviteti, kequshqyerja

06.05.2025 21:30

Rastet me sulme në zemër janë të shpeshta edhe tek të rinjtë....

Rastet me sulme në zemër janë të shpeshta edhe tek të rinjtë. Mjekët theksojnë se kjo varet nga mënyra e jetesës. Në të shumtën e rasteve, faktorët që ndikojnë në sëmundjet kardiovaskulare janë jeta dinamike dhe me shumë stres, pasiviteti, si dhe mënyra e të ushqyerit.

“Sulmet ose aritmia janë të shpeshta në moshën e re dhe nuk është diçka e habitshme, por për sulme në kuptimin e vërtetë, në kuptimin e infarktit, sigurisht në mosha më të reja janë të rralla, por në përgjithësi është vërejtur një rritje e numrit të rasteve në mosha  30 – 40 vjeçare. Kjo ndërlidhet edhe me stresin e lartë kohën e fundit, në mënyrën e stilit të jetës, mënyra jo aktive - pa aktivitet fizik, mënyrën e të ushqyerit me ushqime shumë të yndyrshme, mospasja e aktiviteteve të mjaftueshme fizike dhe gjithë këto mund të rrisin mundësitë e shfaqjes së hershme, por edhe trajtimit të këtyre sëmundjeve.”, - tha për TVM2 drejtori i Klinikës Universitare e Kardiologjisë, Bekim Pocesta.
 
Sipas Pocestës, simptomat nuk janë gjithmonë të njëjta, pacientët duhet të bëjnë kontrolle të rregullta tek mjeku amë dhe kjo rutinë nuk duhet anashkaluar.
 
“Edhe kontrollet e rregullta që në mjekësinë primare, ato që duken se nuk kishte nevojë, pikërisht ato kur bëhen të rregullta, atëherë mund të sjellin që sendet të zbulohen në kohë. Shenjat e para dikujt mund t’i fillonjë me një shtrëngim të fortë në gjoks, dikujt shenjat e para mund të jenë jo specifike në kuptimin lodhje, plogështi.”, - theksoi për TVM2 drejtori i Klinikës Universitare e Kardiologjisë, Bekim Pocesta.
 
Maqedonia është në zonën e kuqe, sa i përket sëmundjeve të zemrës, ndërsa mjekët po i shqetëson edhe fakti që po rritet numri i të rinjve nën 40-vjeç që preken nga probleme kardiovaskulare. 1 në 5 pacientë me atak në zemër është më i ri se 40 vjeç. (Abibe Qaili, TVM2)