Maqedoni
Kriza në Qeveri, Nuhiu: Largimi i Taravarit dobëson pushtetin
07.05.2025 13:53
Temat për hyrje apo dalje të mundshme të partive nga Qeveria nuk i shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik...

Temat për hyrje apo dalje të mundshme të partive nga Qeveria nuk i shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik, pasi këto situata mjegullojnë problemet reale të qytetarëve, apeluan panelistët në emisionin ZOOM në TVM2. Duke komentuar zhvillimet politike me fërkimet aktuale në koalicionin qeveritar, profesori universitar, Qani Nuhiu, vlerësoi se subjekti politik i Arben Taravarit ruan deri diku stabilitetin qeveritar dhe një largim i mundshëm i tij nga Qeveria do të impononte zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Mickoski duhet të vendosë në bazë të dy komponentave, një a do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, qofshin ato paralel me zgjedhjet lokale apo nuk do të shkojë, se mund realisht t’i dobësohet shumica parlamentare, dobësohet për pesë deputetë, është dobësim i ndjeshëm. Tash Qeveria e Maqedonisë funksionon si qeveri me legjitimitet etnik, të krahut maqedonas dhe krahut shqiptar dhe kur ta marrësh pjesën tjetër që janë numra, deputetët, dashur apo jo involvohet problemi i koalicionit shqiptar në Qeveri.”, - deklaroi profesori universitar, Qani Nuhiu.
Aliu: Mickoskit nuk i leverdisin zgjedhjet
Nga ana tjetër, edhe profesori universitar, Murat Aliu, vlerëson se hezitimi i Mickoskit për t’i kërkuar Taravarit largimin nga Qeveria ka të bëjë me frikën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Në këtë kontekst politika është numër dhe meqënëse legjitimiteti i Qeverisë tek ne buron nga intenti etnik i partive politike, një shkëputje prej pesë deputetësh i përfaqësuesve shqiptarë, në këtë rast në Qeveri, do të kishte qenë problematikë edhe për përfaqësimin e shqiptarëve, edhe për vet Mickoskin, por edhe kësaj here do të ishte përballur me një presion akoma më të madh dhe më të vështirë nga opozita, për shkak se numri i deputetëve opozitarë rritet ndjeshëm.”, - theksoi profesori universitar, Murat Aliu.
Megjithatë, profesori Aliu e vlerëson si kontradiktore edhe qasjen e kreut të ASh-së, Arben Taravari, i cili vazhdon të jetë në Qeveri, ndërsa tenton të paraqesë zërin opozitar brenda pushtetit.
ERSAN PAJAZITI
