Botë
India sulmon Pakistanin, 46 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur
07.05.2025 14:14
India ka ndërmarrë një ofensivë të fuqishme ndaj Pakistanit, duke hedhur raketa dhe granata në nëntë rajone pakistaneze...

India ka ndërmarrë një ofensivë të fuqishme ndaj Pakistanit, duke hedhur raketa dhe granata në nëntë rajone pakistaneze. 46 civilë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Banorët raportojnë se kanë dëgjuar 5 deri në 6 shpërthime të fuqishme.
“Dëgjuam pesë-gjashtë shpërthime të mëdha. Mes njerëzve u përhap panik i madh, ndërsa tani na thanë të evakuonim zonën. Ky zjarr i madh erdhi nga ana e Indisë.”, - tha një dëshmitar pakistanez.
“Ishim në gjumë kur dëgjuam zjarrin e madh edhe nga altoparlantët e xhamisë, na informuan që duhet sa më shpejt ta evakuojmë zonën.”, - tha një dëshmitar tjetër pakistanez.
India pretendon se shënjestroi objektivat e grupeve terroriste. Tensionet mes dy fqinjëve të armatosur bërthamorë janë përshkallëzuar prej dy javësh, që kur kryeministri indian, Narendra Modi, i dha dritën jeshile ushtrisë për të nisur aksione kundër këtyre grupeve, që sipas tij, më 22 prill vranë 26 turistë në rajonin e ndjeshëm të Kashmirit. Sipas autoriteteve indiane, sulmet ishin të matura.
“India ushtroi të drejtën e saj për t'iu përgjigjur dhe për të parandaluar, si dhe për të penguar më shumë sulme të tilla ndërkufitare. Këto veprime ishin të matura, jo përshkallëzuese, proporcionale dhe të përgjegjshme. Ato u përqendruan në çmontimin e infrastrukturës terroriste.”, - theksoi sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misri.
Pakistani dënoi “aktin e paprovokuar të Indisë”, duke hedhur poshtë pretendimet e tyre për ekzistencën e grupeve terroriste.
“Këto sulme të paprovokuara dhe të pajustifikuara shënjestruan qëllimisht zonat civile, me pretekstin e rremë të pranisë së kampeve terroriste imagjinare, duke rezultuar në martirizimin e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile, përfshirë xhamitë. Ky akt frikacak dhe i pajustifikuar i armikut do të marrë një përgjigje të fuqishme nga ushtria pakistaneze.”, - deklaroi zëdhënësi i gjeneralit pakistanez, Ahmed Sharif Chaudhry.
Sipas autoriteteve indiane, pas përfundimit të operacionit me emrin “Sindor”, është arritur “kthimi i drejtësisë”. Në të njëjtën kohë, Pakistani ka mbyllur hapësirën ajrore dhe ka goditur të paktën 10 objekte indiane, përfshirë edhe një bazë ajrore.
FARIJE DAUTI BAKIJU
