Maqedoni

Takimi Siljanovska – Milanoviq, Siljanovska: Vetoja s’është miqësore, kriteret e Kopenhagës, rruga jonë drejtë BE-së

07.05.2025 14:26

Në kuadër të një vizite zyrtare, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova...

Në kuadër të një vizite zyrtare, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, priti me nderimet më të larta shtetërore presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, në Vilën Vodno. Gjatë takimit u theksua rëndësia e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut mbi bazën e përmbushjes së kritereve të Kopenhagës. Presidentja Siljanovska Davkova theksoi se përdorimi i vetos bie ndesh me frymën evropiane dhe thelbësisht nuk i shërben marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ajo rikujtoi se përparimi i vendit duhet të mbështetet në reforma të qëndrueshme të brendshme dhe përkushtim ndaj standardeve demokratike.
 
“Mendoj se vetoja ende do të na shkaktojë probleme. Nuk do të mbetemi rast i izoluar dhe në njëfarë mënyre, natyrisht, duhet të gjejmë vendin tonë në kuadër të kritereve të Kopenhagës. Mendoj se do të kemi mirëkuptim nga Kroacia, mirëkuptim nga Sllovenia, por gjithashtu mendoj se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të rëndësishme dhe do të arrijmë t’i tejkalojmë sfidat. Ne kemi qenë pjesë e procesit dhe duam ta përmbyllim rrugën drejt BE-së.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Milanoviq: Jo shantazhe për anëtarësim në BE
 
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, shprehu qartë qëndrimin se Maqedonia e Veriut nuk duhet të pranojë asnjë lloj kushtëzimi në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
 
“Ju jeni ata që do të vendosni se çfarë është e rëndësishme për ju. Mos u bëni vetëm viktima të detyrimit kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nuk kam ndërmend të ushtroj presion për këtë çështje, nuk e kam fjalën për shtetin fqinj, Bullgarinë. Ata kanë idetë e tyre se si duhet të duket kjo dhe është e qartë se duhet të ekzistojë një konsensus, sido që ta kthejmë, përfundimisht vijmë tek i njëjti qëllim. Përderisa dikush është kundër Maqedonisë, ajo nuk mund të ecë përpara.”, - theksoi presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
 
Dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. Presidenti kroat, Milanoviq, pas qëndrimit në Shkup takoi edhe kryeministrin, Hristijan Mickoski.
 
ARMEND MURSELI