Maqedoni
Energjetikë, firmoset kontrata për gazsjellësin me Greqinë
07.05.2025 14:47
Ka përfunduar faza e tenderimit në bazë të të gjitha procedurave të parapara...

Ka përfunduar faza e tenderimit në bazë të të gjitha procedurave të parapara dhe më në fund Ministria e Energjetikës, Xehetarisë dhe e Lëndëve të Para Minerale, operatori i sistemit të transmetimit të gazit AD “Nomagas” dhe kontraktori i përzgjedhur "Rapid Build" nga Kumanova nënshkruan kontratën për ndërtimin e interkonektorit të gazsjellësit me Greqinë.
"Ne më në fund do të kemi një alternativë për futjen e gazit natyror, por jo vetëm kaq, do të kemi më shumë siguri, më shumë burime dhe varshmëri më të vogël nga një furnizues. Dhe këto janë shtyllat kryesore për energji të pavarur. Presim që ndërtimi të zgjasë 22 muaj dhe interkonektori të vihet në funksion në vitin 2027.”, - deklaroi ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska.
Sipas Drejtorit të Ndërmarrjes “Nomagas”, theksoi se ky projekt përfaqëson fillimin e punimeve të këtij projekti madhor.
“Nënshkrimi i kontratës me një kompani vendore është një konfirmim i kapacitetit dhe ofertës së tregut vendor.”, - theksoi drejtori i AD “Nomagas” – Shkup, Muhamet Elmazi.
Pronari i “Rapid Build”, Toni Karanfilovski, tha se operatori i tij tashmë ka përvojë të gjerë në ndërtimin e tubacioneve kryesore të gazit në të gjithë vendin. Kontraktori do të futet menjëherë në terren dhe, siç tha ai, ka burimet e nevojshme për të punuar në të gjitha fazat.
“Konkurrenca ishte shumë e fuqishme dhe në këtë thirrje u lajmëruan shumë kompani evropiane dhe vetëm ne ishim kompani vendore dhe arritëm të fitojmë dhe t’i ofrojmë kushtet më të lira.”, - theksoi pronari i “Rapid Build”, Toni Karanfilovski.
Kompania “Rapid Build” ofroi çmimin më të ulët prej 59.9 milionë eurosh në tenderin e dytë, i cili ishte 12 milionë euro më i ulët se oferta e dytë e një kompanie nga Serbia. Tre dekada pas futjes së gazit natyror në RMV, me këtë marrëveshje AD “Nomagas” Shkup, pozicionohet si operatori më i madh dhe më i rëndësishëm në sistemin energjetik në RMV.
FITIM KRYEZIU
