VLEN: Vegla të BDI-së s'mund të ketë në Qeveri
Vala e përplasjeve politike...

Vala e përplasjeve politike në vend ka vazhduar edhe pas takimeve që kryeministri Hristijan Mickoski realizoi me liderët e VLEN-it. Nga kabineti qeveritar vlerësojnë se takimi ka qenë konstruktiv.
Ndërkohë, pas realizimit të këtij takimi nga VLEN-i pretendojnë se ASh-ja e Arben Taravarit do të largohet nga Qeveria.
“Të ftuam të bëhesh bartës i ndryshimit. U bëre simbol i Revolucionit të dritave. Edhe pse humbës në qytetin tënd, shpërndaje ‘Efridol’ për BDI-në. Euforia yte paska qenë vetëm sa për kamerë. Asgjë e sinqertë. Asnjë dritë e vërtetë. Sonte VLEN-i vendosi, dritat fiken për hipokrizinë. Dyfytyrësia…nuk ia VLEN!”, ka shkruar Izet Mexhiti në Fejsebuk.
Edhe kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, ka bërë me dije se Taravari nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë, ndërsa partner të ketë edhe BDI-në.
"Politika joparimore e dy karrigeve dhe e qëndrimeve ku nuk merret vesh kush është partneri, kush është aleati e kush është oponenti, tashmë ka perënduar. Të gjithë që mendojnë se mund të luajnë ndryshe, nuk mund të jenë partnerë tanë dhe të kësaj Qeverie. VLEN-i nuk mund të lejojë që në Qeveri ta ketë partner edhe BDI-në përmes vegzave ose veglave, që janë kapur keq në rrjetin e Oligarkisë së Krimit e Korrupsionit.".
Reagim kishte edhe Taravari, i cili përmes një postimi në Fejsbuk,paraprakisht ironizoi me taksimin e VLEN-it, duke shkruar: “REAGIM? S’JA VLEN”.
VMRO-Dpmne: Qytetarët nuk do të mbeten të zhgënjyer
Përderisa pritet takimi i radhës i kryeministrit me Taravarin dhe nëse ai do të mbetet pjesë e Qeverisë, nga VMRO-DPMNE porositën se qytetarët nuk do të mbeten të zhgënjyer.
“Takimi kaloi në një frymë miqësore e partneriteti. U bisedua për të gjitha çështjet reformuese. Respektohet vullneti i qytetarëve kundër krimit dhe ndryshimeve në sistem, që për fat të keq e lanë LSDM dhe BDI në të kaluarën. Qytetarët nuk do të mbeten të dëshpëruar, bisedimet vazhdojnë edhe më tutje.”, - theksoi Valentin Manasiev nga VMRO-DPMNE.
Nga qëndrimet e tija të fundit, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se është e papranueshme, nëse Taravari bashkëpunon me BDI-në.
Nga LSDM pyesin se përse Maksim Dimitrievski, që është pjesë e Qeverisë, ka të drejtë të bashkëpunojë me BDI-në, ndërsa Taravari, jo. Sipas tyre, kumbara i Maksim Dimitrievskit me mbështetje të BDI-së ka fituar 350 mijë euro përmes një skandali urbanistik.
“Do të shohim se idhtarë i madh i drejtësisë, Dimitrievski, i cili karrierën e tij e ndërtoi duke kundërshtuar BDI-në, tani në bashkëpunim me këshilltarët e BDI-së e ka votuar Planin e detajuar urbanistik, me të cilën padyshim ka pasur fitim të madh prej 350.000 euro. Ajo që drejtoi Dimitrievski, e mbështetur nga këshilltarët e BDI-së, duhet të hyjë në librat për krimin e organizuar dhe korrupsionin.”, - u shpreh këshilltarja në komunën e Kumanovës, Atina Murgashanska.
Në takimin e fundit mes kryeministrit dhe Arben Taravarit u la hapësirë që brenda muajit maj të sillet një vendim përfundimtar rreth vazhdimit ose jo, që partia e Taravarit të jetë pjesë e Qeverisë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
