Dështoi përpjekja e 12-të për konstituimin e Kuvendit
Dymbëdhjetë përpjekje rezultuan të pamjaftueshme...

Dymbëdhjetë përpjekje rezultuan të pamjaftueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe vazhdimi i sotëm i kësaj seance ngeli te propozimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë, i cili nuk u votua nga PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe.
LDK-ja zgjidhjen e sheh te Qeveria gjithëpërfshirëse
Nga LDK thonë se kriza politike do të mund të tejkalohej nëse pranohet propozimi i tyre për qeveri të tranzicionit.
“LDK-ja ka shprehur vullnetin politik dhe tanimë ka në tavolinë një propozim të qartë për një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila kishte për ta zhbllokuar situatën dhe do të rezultonte në konstituimin e institucioneve duke filluar prej Kuvendit, po edhe formimin e një qeverie, e cila do të kishte agjendë të qartë, qëndrime të qarta dhe një afat të caktuar kohor.”, - deklaroi Hykmete Bajrami nga LDK.
Por, nga Vetëvendosje janë kundër propozimit të LDK-së për qeveri tranzicioni, pasi siç thonë nga kjo parti Kosova nuk ndodhet as në luftë, e as në krizë.
“Sa i përket qeverisë tranzicionale, siç u quajt, besoj të gjithë e dini dhe pajtoheni që në raste kur ka luftë civile, kur vendi del nga lufta dhe nuk ka institucione, pra në raste të tilla kur ka kriza të papara apo kriza jo të rregullta, kur vendi mbetet pa qeveri, atëherë propozohen zgjidhje të tilla. Propozimi për qeveri tranzicionale është të kthehemi në kohën e UNMIK-ut, pra në vitin 2000, por nuk besoj që jemi aty.”, - theksoi Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje.
Krasniqi: PDK-ja do ta shqyrtojë propozimin e LDK-së
Sa u përket partive opozitare, PDK-ja qëndrimin e saj për propozimin e LDK-së do ta sjellë në mbledhjen e kryesisë.
“Sot kam mbledhjen e kryesisë, është mbledhje e rregullt që ta dini, ne i mbajmë mbledhjet të mërkurave dhe do ta diskutojmë me kolegët e mi këtë propozim, që tashmë e ka dhënë zoti Abdixhiku.”, - u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Musliu: LDK-ja nuk ka guxim, as me Kurtin e as me PDK-në
Por, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar LDK-në për mungesë qëndrimi, nëse dëshiron të bashkëpunojë me PDK-në apo me Vetëvendosjen.
“Ata nuk po guxojnë të bëhen me Albin Kurtin, as nuk po guxojnë të bëhen me ne. Duhet të jesh një lider që tregon pjekuri dhe pozicionohet njëherë e mirë qartë, nuk bën PDK-ja, nuk bën Vetvendosja. Jo, tash hajde, se po i bëjmë të gjitha bashkë, d.m.th. kjo është thjesht për të bërë shaka me votën e qytetarëve të RKS-së dhe thjesht për ta thelluar krizën politike në vend.”, - deklaroi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
AAK dhe Nisma insistojnë për Qeveri, preferojnë Qeveri të shumicës
Në një mbledhje që do ta thërriste kreu i LDK-së, Abdixhiku, janë të gatshëm të marrin pjesë krerët e AAK-së dhe Nismës, por ata më tepër preferojnë një qeveri me shumicë parlamentare.
“Ne mbesim në qëndrimin që ta ndihmojmë, pra unë dhe Aleanca Qeverinë e opozitës, ne jemi për Qeverinë e opozitës.”, - theksoi Ramush Haradinaj nga AAK.
“Në fakt ajo që duhet të jetë është, se unë preferoj Qeveri të shumicës.”, - theksoi Fatmir Limaj nga Nisma.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vazhdimin e 13-të të seancës konstituive e ka caktuar për të premten më 9 maj. (Gyltene Sinani, TVM2)
