Botë
Rusia e shkel vet armëpushimin 72-orësh, njoftohet për bombardime dhe viktima në Ukrainë
08.05.2025 14:14
Ushtria ruse ka goditur Ukrainën verilindore, duke vrarë një person dhe duke lënduar dy të tjerë....

Të enjten kur duhej të fillonte armëpushimi i njëanshëm 72-orësh, që e kishte paralajmëruar vetë Rusia, ushtria ruse ka goditur Ukrainën verilindore, duke vrarë një person dhe duke lënduar dy të tjerë. Forcat ruse hodhën bomba ajrore në drejtim të zonave të banuara pranë kufirit në rajonin verilindor të Sumit, ka thënë zyra rajonale e Prokurorisë. Forcat Ajrore të Ukrainës gjithashtu kanë njoftuar se të paktën një raketë ka goditur rajonin e Sumit në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Nga ana tjetër, Rusia raporton se ka kapur dronë ukrainas që shkonin drejt Moskës, ndërkohë që presidenti rus takohet me liderë ndërkombëtarë që kanë ardhur për paradën.
Zelenski insiston për armëpushim 30-ditorë
Presidenti ukrainas, Zelenski, ka refuzuar propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për armëpushim treditorë, duke insistuar për një armëpushim njëmujor.
“Ne nuk e tërheqim këtë propozim, që mund t’i japë një mundësi diplomacisë. Por, bota nuk sheh asnjë përgjigje nga Rusia, përveç sulmeve të reja. Kjo i tregon të gjithëve se kush është burimi i kësaj lufte.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Peskov: Mungon gatishmëria për paqe në Kiev
Armëpushimi treditor i shpallur njëanshëm nga Putini hyri në fuqi në prag të përvjetorit të Ditës së Fitores, por autoritetet ruse thonë se autoritetet në Kiev vazhdojnë të shprehin mungesën e gatishmërisë për paqe.
“Regjimi i Kievit ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë për gatishmërinë për t’iu bashkuar kësaj nisme. Kemi dëgjuar shumë deklarata të paqarta dhe të ndryshme në nivele të ndryshme dhe shohim veprime reale.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Tramp: Po arrijmë në pikën kur duhet të merren vendime
Uashingtoni konfirmoi se Rusia kishte kërkuar shumë në ofertën e saj fillestare për paqe. Trampi, i pakënaqur me situatën, theksoi se po arrijnë në një pikë ku duhet marrë një vendim.
“Po arrijmë në një pikë ku duhet të merren disa vendime. Nuk jam i kënaqur me këtë.”, - u shpreh presidenti amerikan, Donald Tramp.
Ministrat e Mbrojtjes të BE-së, mbështetje për Ukrainën, Rusisë t’i bëhet presion
Ministrat e Mbrojtjes së BE-së nga samiti dyditor në Varshavë shprehën mbështetje për Ukrainën, duke vënë theksin te rritja e presionit ndaj Rusisë, por edhe te rritja e shpenzimeve për mbrojtje.
“Po shqyrtojmë hapat e ardhshëm për të rritur presionin ndaj Putinit, për të përgatitur paketën e 17-të të sanksioneve, por edhe për të rritur përfshirjen tonë evropiane në mbrojtj.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.
“Aktualisht është shumë e rëndësishme të qëndrojmë pas Ukrainës. Të gjithë mund të shohin se miqtë tanë amerikanë ndodhen në një pozitë ku së shpejti do të duhet të vendosin nëse do të heqin dorë nga kjo apo jo.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Loke Rasmusen.
Ish-presidenti amerikan, Bajden, paralajmëron se qasja e Trampit ndaj luftës në Ukrainë me pajtimin historik me lëshimet ndaj Putinit, mund të rrezikojnë sigurinë e Evropës dhe rolin udhëheqës të ShBA-së në botë.
BELINDA KOKA ADEMI
