Maqedoni
Vazhdojnë hetimet për zjarrin në Koçan, Kocevski: Është e mundur të zgjerohen hetimet
08.05.2025 14:35
Prokurori Publik Republikan ka theksuar se hetimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçani nuk ka përfunduar...

Prokurori Publik Republikan, Lupço Kocevski, ka theksuar se hetimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçani nuk ka përfunduar dhe se për momentin prokurorët që punojnë në këtë rast po marrin në pyetje dëshmitarë dhe persona të dëmtuar që dinë diçka për ngjarjen, ndërsa po koordinohen edhe me ekspertë në lidhje me hetimin. Këtë deklaratë Kocevski e bëri para fillimit të seancës së Këshillit të Prokurorëve Publikë. Kocevski po ashtu ka theksuar se derisa të përfundojë hetimi, është i mundur që të zgjerohet hetimi, por e gjithë kjo, sipas tij, varet nga provat të cilat do të sigurohen dhe nga ajo që do të ofrojnë prokurorët publikë, por edhe dëshmitarët.
“Deri në përfundim të hetimeve, mund të ketë edhe zgjerim të hetimeve, por ajo varet nga dëshmitë dhe varet nga ato fakte të cilat do t’i sigurojnë prokurorët publikë. Për momentin ka prokuror në Prokurorinë Themelore në Koçan dhe prokuror në Prokurorinë Themelore në Shkup dhe janë duke marrë në pyetje dëshmitarë edhe në Koçan edhe në Shkup dhe në përputhshmëri me dinamikën e caktuar, mendoj se e gjithë procedura hetimore mund të kryhet në afatin e paraparë dhe të ketë akuza të ngritura.”, - deklaroi prokurori publik i Republikës, Lupço Kocevski.
Kocevski: Nuk ka pasur selektim në procedurën hetimore
Kocevski po ashtu tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj selektimi në procedurën hetimore dhe nuk do të ketë as në të ardhmen, dhe se ai si Prokuror Republikan nuk ka pasur kurrfarë presione ose kërcënime.
“Nuk ka kurrfarë selektimi dhe nuk do të ketë as në të ardhmen. Nuk kam kurrfarë presioni ose kërcënime. Sa i përket familjarëve në tragjedinë e Koçanit, ne i kemi pranuar në zyrën tonë dhe i kemi informuar për procedurën e hetimit. Por, deri më tani të gjithë familjarët të cilët janë ftuar nga ana e prokurorëve, i janë përgjigjur ftesës dhe kanë treguar atë që dinë për rastin në fjalë.”, - theksoi prokurori publik i Republikës, Lupço Kocevski.
Kocevski po ashtu në fund theksoi se Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar ka një procedurë për 14 ose 15 persona, për të cilët nuk janë përcaktuar masa paraburgimi dhe se të gjithë ata të cilët dinë diçka për rastin në fjalë mund të shkruajnë në faqen e internetit të Prokurorisë, duke garantuar se ai është konfidencial dhe nuk do të bëhet publik. Në zjarrin që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan më 16 mars, 62 persona humbën jetën dhe gati 200 të tjerë u lënduan.
FITIM KRYEZIU
