Ekonomi

Qytetarët ankohen për çmime të larta, Tregtarët: Ka ulje të çmimit të perimeve

08.05.2025 14:45

Çmimet në tregun e Bit Pazarit vazhdojnë të jenë të njëjta....

Çmimet në tregun e Bit Pazarit vazhdojnë të jenë të njëjta. Qytetarët ankohen se çmimet janë mjaft të larta, ndërsa nga ana tjetër tregtarët thonë se ka ulje të disa perimeve.
 
Pas përfundimit të masës qeveritare në fund të prillit për kufizimin e marzhave për produktet bazike, ku u përshin mbi 100 produkte, qytetarët kanë frikë për shtrenjtime të reja dhe rritje të standardit jetësor.
 
“Çmimet janë të shtrenjta, sepse standardi është i ulët tek ne. Ne mendojmë, por ata që i prodhojnë nuk mendojnë se ata kanë harxhime. Shteti duhet t’i shikojë këto punë, duhet t’u japë financa atyre që e prodhojnë.”, - tha një qytetar. 
 
“Mendojmë, si jo. Të gjitha janë të larta, s’di ç’të them!”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Të larta janë, treguan në televizion se pemët dhe perimet 26 për qind janë rritur, ndërsa gjelbërimet që janë, 13 deri në 15 për qind. Standardi ynë është i ulët.”, - u shpreh një qytetar. 
 
“Çmimet janë rritur. Thanë që do t’i ngrijnë çmimet, por nuk ndodhi. Shumë rëndë jetohet me këtë shtrenjtësi. Qeveria duhet të bëjë inspektime të çmimeve.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Momentalisht domatet dhe specat janë shtrenjtë, vetëm trangujt lirë ishin sot.”, - theksoi një qytetar.
 
Sipas shitësve në treg, ndonëse çmimet janë të larta, ka ulje të çmimit të perimeve ditëve të fundit, ndërsa frutat akoma kanë çmim të lartë.
 
“Shitje nuk kemi dhe aq. Sa i përket çmimeve, nuk janë shumë të larta, por edhe të ulëta nuk janë. Trangujt 3 kg 100 den, spinaqi 50 den, specat 100 den, lakra 50 den.”, - tha një tregtar.
 
“Çmimet çdoherë janë të larta për ata që blejnë, për ata që i prodhojnë janë të ulëta.”, - tha një tregtar tjetër. 
 
“Çmimet e perimeve janë ulur, domatet, specat, trangujt, megjithatë nuk kemi shitje sa duhet.”, - u shpreh një tregtar.
 
Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, bazuar në shportën mujore sindikale, të ardhurat mujore nuk i plotësojnë nevojat themelore të familjeve, prandaj ata kërkojnë që paga minimale të rritet në 500 euro, si dhe rritje të të gjitha pagave të tjera me nga 100 euro.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI