Maqedoni

Tetovë, shkollat e mesme promovojnë drejtimet, Kasami: Shkollat e Tetovës kanë kushte të mira

08.05.2025 14:55

Shkollat e mesme në Tetovë në sheshin “Iliria” kanë promovuar drejtimet e tyre shkollore....

Shkollat e mesme në Tetovë në sheshin “Iliria” kanë promovuar drejtimet e tyre shkollore. Semimaturantët nga afër janë njoftuar me programet shkollore dhe kushtet që ofrojnë shkollat. 
 
“Shkolla jonë sivjet pranon 714 nxënës me 21 paralele, me drejtime motër medicinale ose infermiere, teknik farmaceutik, teknik fizoterapi, laborant, teknik i dhëmbëve, kozmetikë. Nga këto 14 klasa janë në gjuhën shqipe, 6 në gjuhën maqedonase dhe 1 në turke. Për t’u regjistruar në shkollën tonë kërkohen pikët më të larta, 70 pikë.”, - u shpreh drejtoresha e shkollës së mesme medicinale “Nikolla Shtenj”, Malësore Ramadani. 
 
“Deri në 272 nxënës do të jetë i hapur konkursi, por për fat të keq dihet se shkolla jonë ka mungesë të nxënësve, por do të kërkojmë mbështetjen e sektorit, por edhe komunës që të na ndihmojnë në këtë aspekt që në vitin shkollor 2025-26 të kemi një numër të konsiderueshëm të nxënësëve.”, - u shpreh drejtori i shkollës “7 Marsi” në Tetov, Ismail Vllashi. 
 
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami, tha se në të gjitha shkollat e kësaj komune, kushtet janë të mira. Sipas Kasamit, këtë vit priten të regjistrohen 2.167 nxënës, ndërsa fton nxënësit të regjistrohen edhe në shkollat profesionale si ekonomike, tekstil dhe gjimnazi “7 Marsi’.
 
“Këtë vit fatmirësisht kemi rritje të nxënësve që do të paraqiten për regjistrim në shkolla të mesme. Të dhënat që i kemi është që 2.167 nxënës, nga të cilët 1.800 në gjuhën shqipe, 337 në gjuhën maqedonase dhe 30 nxënës me mësim në gjuhën turke. Kemi risi në programet që ofrojnë shkollat e mesme. Nga ky vit shkolla ekonomike ofron drejtimin marketing digjital, duke pasur parasysh se nxënësit nuk janë shumë të interesuar për t’u regjistruar në shkollën e mesme tekstile, ekonomike ose gjimnazin “7 Marsi”.”, - theksoi kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Përndryshe trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë nuk po ndalet. Më të rrezikuar janë shkollat e Malësisë se Tetovës, ku në disa fshatra nuk ka as 10 nxënës nga klasa e parë deri të nëntën.
 
VISAR SADIKI