Maqedoni

Kasami: Taravari edhe pak ditë në Qeveri

08.05.2025 15:19

Nuk ka vend në Qeveri për ata që bashkëpunojnë me BDI-në...

Nuk ka vend në Qeveri për ata që bashkëpunojnë me BDI-në. Kështu ka deklaruar Bilall Kasami nga VLEN-i. I pyetur për qëndrimin e Arben Taravarit si ministër në Qeveri, tha se atij i kanë mbetur edhe disa ditë për largim nga Qeveria. Kasami tha se me Mickoskin janë dakorduar për kohën dhe dinamikën e veprimeve, të cilat do të ndërmerren në ditët në vijim.
 
“Do ta shohim deri kur, edhe ndonjë ditë...Por, ajo që është me rëndësi që e kemi thënë bashkëpunim me BDI-në edhe me Qeverinë nuk ka dhe këtë e kemi dakorduar edhe me kryeministrin dhe sigurisht në këtë drejtim në ditët në vijim do të ketë edhe veprime konkrete.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
 
Sa i përket qëndrimeve të zëvendëskryeministrit, Arben Fetai, Kasami tha se ai është zëri ndryshe nga disa veprime të kryetarit të ASh-së.
 
“Ne urojmë që ky zë ndryshe në Aleancë të jetë i fuqishëm. Ne do të dëshironim që edhe më tutje ASh-ja të jetë pjesë e koalicionit VLEN, pjesë e Qeverisë, por në asnjë moment me elemente të cilat kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me Ali Ahmetin dhe BDI-në.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
 
Fetai vazhdon kritikat ndaj BDI-së
 
Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, që është pjesë e Aleancës për Shqiptarët - krahu i Arben Taravarit, në rrjetin social Fejsbuk në vazhdimësi dhe haptazi i shpreh qëndrimet e tij kundër BDI-së, duke e quajtur atë strukturë të kalbur.
 
“Unë besoj ende. Besoj se Aleanca për Shqiptarët do të mbetet besnike ndaj rrugës së saj – rrugës së Arbrit, të dinjitetit dhe guximit. Dhe besoj se me vullnet të ndërsjellë, mund ta gjejmë formulën për të çliruar çdo komunë shqiptare nga keqqeverisja e BDI-së. Ky është misioni ynë. Sulmet dhe goditjet nën brez nuk i kontribuojnë këtij misioni. Për këtë mision do të vazhdoj të luftoj, pa i sharë ata me të cilët e sollëm ndryshimin, pa u përkulur.", ka shkruar Fetai. 
 
BDI: VLEN-i në Qeveri ka poshtëruar shqiptarët
 
Ndërkohë BDI vazhdon me akuzat se koalicioni shqiptar në pushtet ka poshtëruar të gjithë shqiptarët. 
 
"Në përpjekje për t’i bërë qejfin kryeministrit, ata po vetëposhtërohen publikisht, duke pranuar që ai t’i trajtojë me përbuzje, t’u japë leksione dhe t’u caktojë vendin në Qeveri, sipas vullnetit të tij personal. Çdo ditë dëgjojmë, jo vetëm nga kryeministri, por edhe nga përfaqësues të VMRO-së dhe partnerë të tjerë maqedonas, kush me kë guxon të bisedojë, kush me kë mund të bashkëpunojë dhe kush me kë është kapur duke u takuar.", theksojnë nga BDI. 
 
VLEN: Dështoi plani i BDI-së për të shkaktuar zgjedhje
 
Nga VLEN-i theksojnë se Taravari u vodhi pesë mandate qytetarëve në emër të ndryshimit dhe tani po tenton t’i dërgojë në kazanin e BDI-së, ku vlon krimi dhe korrupsioni. Veprimet e BDI-së i sheh si plan të dështuar për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. 
 
"Pazari që BDI-ja e bëri personalisht me Arben Taravarin për destabilizimin e Qeverisë dhe shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme, ka dështuar. Shpresa dhe gënjeshtra e fundit që BDI u servonte anëtarëve të saj, se do të kthehej shpejt në pushtet, tashmë është e kaluar.", theksojnë nga VLEN-i.
 
Filipçe: Çështje kohe kur do të prishet Qeveria
 
Sa i përket koalicionit qeverisës, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerëson se është çështje kohës se kur do të prishet.
 
“Puna e vetme që i udhëheq partitë në atë koalicion janë çështje të ngushta partiake. Dje dhe pardje pamë interesa financiare, për fat të keq. Kështu që një koalicion i tillë që nuk bazohet në kurrfarë vlera dhe nuk ka asnjë ide dhe vizion se si të udhëheqë shtetin para dhe për këtë dëshmojmë çdo ditë janë të gjykuar në vetëm një çështje, e ajo është mossuksesi. Është çështje kohe kur i tërë koalicioni do të prishet. Është e qartë se asgjë thelbësore nuk i lidh partitë politike në atë koalicion.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Lëvizja “E di”: Koalicioni qeveritar është stabil
 
Vlerësimin e Filipçes për koalicionin qeverisës e kundërshtoi Maksim Dimitrievski nga Lëvizja “E di”, duke e quajtur Qeverinë mjaft stabile. Edhe për Dimitrievskin, bashkëpunimi i Taravarit me BDI-në është i papranueshëm.
 
“Koalicioni qeveritar asnjëherë nuk ka qenë më stabil nga ky moment dhe mendoj se lideri i vetëshpallur i opozitës duhet të merret me veten dhe të shohë që mos t’i rrënohet ndërtesa në “Bihaçka”, sepse ajo është e zbrazët, nuk ka njerëz në të...Taravari duhet të dalë dhe të thotë nëse ka apo jo bashkëpunim me BDI-në. Në momentin që do ta vërtetojë bashkëpunimin, ne më tej nuk do ta vlerësojmë si partner qeveritar. Të paktën ne nga Lëvizja “E di”.”, - theksoi Maksim Dimitrievski nga Lëvizja “E di”.
 
Sa i përket bashkëpunimit të LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme, Filipçe tha se dyert për bashkëpunim i kanë të hapura, por që do të kenë parasysh mësimet nga koalicioni i mëhershëm, i cili, siç tha, ia ka prishur imazhin LSDM-së. Filipçe shprehet se partia e tij është e gatshme për çfarëdo cikli të ardhshëm  zgjedhor. Edhe Lëvizja “E di” u shprehën të gatshëm për çfarëdo lloj zgjedhjeje të ardhshme. 
 
FLORIJE KAMBERI