Maqedoni

Rasti i fatkeqësisë në Llaskarcë, për katër të akuzuar rriten dënimet

08.05.2025 15:28

Gjykata e Apelit në Shkup ka pranuar ankesën e Prokurorisë Publike për tragjedinë e autobusit në Llaskarcë...

Gjykata e Apelit në Shkup ka pranuar ankesën e Prokurorisë Publike për tragjedinë e autobusit në Llaskarcë, duke i rritur dënimet për 4 të dënuar, ndërsa për dy të tjerë ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë. Dënimin më të madh prej 14 viteve burg, të cilin e vërtetoi Apeli është për shoferin e autobusit, Manoil Trifunovski. Pronarit të “Durmo Turs”, Durmish Beluli, Gjykata e Apelit i shqiptoi dënim prej 10 viteve burg, gjegjësisht gjashtë vite më shumë nga dënimi që i kishte shqiptuar shkalla e parë.
 
Përgjegjësi për transport në “Durmo Turs”, Remzi Miftari, ka marrë të njëjtin dënim me 10 vite burg, ndërsa gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar atë me 6 vite burg. Dënimet për punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, janë rritur nga 5 vjet në 7 vjet burg. Për kolegun e tyre, Jane Bovaroski, vërtetohet dënimi i shkallës së parë prej 5 vitesh burg.
 
Gjashtë të akuzuarit u dënuan gjithsej 53 vite burg. Familjarët e viktimave dhe të plagosurve do të kërkojnë dëmshpërblim në një proces gjyqësor në Gjykatën Civile.
 
Për fatkeqësinë e cila mori 16 viktima dhe la mbi 30 të lënduar është konstatuar se autobusi ka manipuluar me matjen e drejtë të shpejtësisë edhe pse të vetëdijshëm për rrezikim të jetës së udhëtarëve. Autobusi është drejtuar me shpejtësi 19 km më shumë në orë nga ajo që ishte e lejuar. Fatkeqësia me autobusin e “Durmo Turs” ka ndodhur më 13 shkurt, kur autobusi doli nga korsia e sipërme e autostradës Shkup-Tetovë dhe është përmbysur në afërsi të hyrjes në fshatin Llaskarcë.
 
FLORIJE KAMBERI