LDK, kallëzim penal ndaj Kurtit e ministrave në detyrë

08.05.2025 16:00

Lidhja Demokratike e Kosovës...

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve ndaj ish-kryeministrit Kurti dhe ish-ministrave të rizgjedhur deputetë”. Deputetet e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica Xhelili kanë dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale, veprim të cilin e kanë paralajmëruar më herët.

Ky kallëzim penal, sipas LDK-së, në substancë ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve, duke mos dhënë dorëheqje me të marrë mandatin e deputetit, pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Sot në emër të deputetëve të LDK-së kemi dorëzuar 17 kallëzime penale kundër kryeministrit, Albin Kurti, dhe ish-ministrave të kabinetit të tij, duke përfshirë edhe një ish-zëvendësministri. Të gjithë këta të zgjedhur deputetë dhe të certifikuar sipas rezultatit zgjedhur nga KQZ-ja. Ne konsiderojmë dhe besojmë që nga data 27 mars këta janë në kundërshtim me nenin 26 të ligjit për Qeverinë. Duke qenë se prej datës së certifikimit edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë në zyrë, këta kanë thënë se kanë dhënë dorëheqje, ndërkaq vazhdojnë të qëndrojnë aty. Këta deputetë kanë konsumuar vepër penale, e sanksionuar kjo në nenin 414.”, - deklaroi Hykmete Bajrami nga LDK.

Arbëresh Kryeziu Hyseni: Pse LDK-ja nuk bëri kallëzim penal ndaj listës serbe?

Por, në një postim në Fejsbuk ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni. Ajo tha se kjo parti nuk ka bërë kallëzim penal as kundër Listës Serbe, e këtë e ka bërë kundër Qeverisë së Kosovës. “Asnjë kallëzim penal Listës Serbe, asnjë kallëzim penal ShIK-ut dhe natyrisht tash kallëzim penal Qeverisë së Kosovës!”, ka shkruar deputetja e Vetëvendosjes në Fejsbuk. (Gyltene Sinani, TVM2)