Sulmet intensive izraelite në Gazë, 82 të vdekur dhe qindra të plagosur
Të paktën 82 palestinezë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën...

Të paktën 82 palestinezë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën nga sulmet intensive izraelite në të gjithë Rripin e Gazës. Sulmet ajrore izraelite shënjestruan një restorant dhe një treg me popullsi të dendur në lagjen Al-Rimal, në perëndim të qytetit të Gazës. Të plagosurit sillen në qendrat e kujdesit shëndetësor në Deir al-Balah.
"Sapo kisha dalë nga shtëpia dhe ndërsa po hyja në tendën time të marr telefonin, na bombarduan.", - tha një i plagosur.
“Një vajzë 12-vjeçare sapo është shpëtuar nga rrënojat. Është një mrekulli, ajo ende po merr frymë. Kemi momente shumë të vështira, si ky i sotmi, kur ka fluks të madh të të plagosurëve, trupa të vdekurish dhe familje që vijnë të trishtuar për t’i kërkuar të dashurit e tyre.”, - tha infermierja, Klara de Seigneurens.
"Ka kaluar një vit e gjysmë që shërbej këtu, për të qenë i sinqertë, është tepër e vështirë. Shohim trupa të copëtuar fëmijësh, të plagosur dhe zemrat tona po rrjedhin gjak, por nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet të durojmë patjetër dhe të bëjmë punën tonë.", - tha ndihmësi i parë, Fares Afana.
Përshkallëzimi i sulmeve izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës vjen në mes të bllokadës ushqimore, duke e përkeqësuar situatën humanitare në nivele të papara. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, thotë se përpiqen për të zgjidhur problemin e urisë.
"Kur bëhet fjalë për ndihmën humanitare. Por, tani për tani është një problem i madh që ndihma humanitare nuk po arrin tek njerëzit. Fola me ministrin, i cili ofroi gjithashtu ndihmë nga Bashkimi Evropian për të shpërndarë ndihmën humanitare, nëse ata nuk u besojnë aktorëve të tjerë atje. Ne po përpiqemi të bëjmë atë që është në fuqinë tonë për të ndihmuar.", - theksoi shefja e Diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
Pavarësisht këtyre deklaratave, OKB-ja ka thënë se muajt e fundit, banorët e Gazës vdesin nga uria, pasi janë shterur rezervat ushqimore. Izraeli vendosi të ndalojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës që nga 2 marsi. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
