Raporti më i ri i EShR-së: 18.6 milionë euro pajisje qëndrojnë të papërdorura
Mungesa e stafit të kualifikuar...

Mungesa e stafit të kualifikuar ka kufizuar përdorimin e pajisjeve moderne mjekësore në vlerë prej 18.6 milionë euro, thuhet në raportin më të ri të Entit Shtetëror të Revizionit.
Revizorët zbuluan se, megjithëse ka pasur një rritje të numrit të pajisjeve mjekësore, ato nuk janë vënë në funksion ose nuk po përdoren mjaftueshëm, e kjo ka ndikuar në qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor për qytetarët në të gjithë vendin.
“Vlera e përgjithshme e pajisjeve mjekësore që ishin objekt i auditimit në institucionet publike shëndetësore të përfshira arrin në 57.7 milionë euro, nga të cilat pjesa më e madhe, përkatësisht 68%, i referohet pajisjeve që janë vënë në përdorim dhe përdoren shpesh përtej kapaciteteve të parashikuara. Për shkak të mungesës së kuadrit profesional dhe kushteve hapësinore, pajisjet me vlerë prej 13 milionë euro ende nuk janë vënë në funksion. Gjithashtu, pajisje me vlerë prej 5.5 milionë euro nuk përdoren në kapacitet të plotë dhe nuk shfrytëzohen as funksionalitetet shtesë.”, thuhet në raportin e auditimit të EShR-së.
Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor thotë se blerjet kanë qenë të paplanifikuara.
“Ndryshimi që po përpiqemi ta realizojmë tani është që të ekzistojë nevoja për blerje, llogaritja e leverdishmërisë së asaj nevoje, ku do të vendoset pajisja dhe kush do të punojë me ato aparate. Për shembull, akseleratori në Manastir mund të vihet në përdorim dhe po punohet në këtë drejtim. Gjithashtu, po punohet për vënien në funksion të akseleratorit në spitalin “8 Shtatori”, ndërsa ai në Klinikën për Radiologji tashmë është vënë në përdorim.”, - deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.
Sipas raportit, katër akseleratorë edhe pse janë blerë për në spitalet e Shtipit dhe Manastirit, nuk janë në funksion për pacientët e sëmurë që kanë nevojë për terapi me rrezatim. Për këtë arsye, pacientët janë të detyruar të udhëtojnë në Shkup për të marrë këtë lloj trajtimi.
Revizioni ka konstatuar nevojën për përmirësimin e rregullativës dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për përdorimin dhe mbikëqyrjen e pajisjeve mjekësore.
Për të adresuar këto probleme, janë dhënë rekomandime për marrjen e masave nga institucionet, për të përmirësuar shfrytëzimin e pajisjeve dhe për rritur aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore. (Armend Murseli, TVM2)
