Komisioni për Sistem Politik, përplasje për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve
Ndryshimet ligjore të Ligjit për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve....

Ndryshimet ligjore të Ligjit për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve, të cilat i kaluan filtrat e komisionit për sistem politik shkaktuan përplasje mes deputetëve të Frontit Evropian dhe atyre të VMRO-DPMNE-së në Komisionin për Sistem Politik dhe marrëdhënie mes bashkësive në Parlament. Për Frontin Evropian këto ndryshime ligjore janë kategorikisht të papranueshme, për shkak se dëmtojnë dhe dobësojnë rolin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Ky propozim-ligj është një hap i gabuar dhe i dëmshëm për të ardhmen e këtij organi. Në vend që ky inspektoriat të përmirësohet dhe të forcohet, shumica parlamentare, po e çon drejt një varfërimi institucional duke i hequr çdo mundësi për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe efektive. Propozim-ligji në fjalë e heq statusin e personit juridik të inspektoratit, duke e bërë thjeshtë njësi administrative brenda Ministrisë së Drejtësisë, domethënë qëllimi është të hiqet një ent i pavarur dhe të kthehet në një zyre të thjesht e cila do të funksionojë nën urdhërat e një ministrie, me tendencë kontrollin dhe abuzimin nga qeveritarët aktualë.”, - deklaroi Rina Ajdari nga Fronti Evropian.
Ndaj deputetes Ajdari reaguan nga VMRO-DPMNE, duke thënë se BDI po tenton të manipulojë me ndjenjat etnike të shqiptarëve, duke plasuar teza të rrejshme. Deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshovski, tha se këto ndryshime vijnë pas ndryshimeve ligjore të ligjit për organet shtetërore, ku sipas tij, edhe BDI ka votuar që inspektoriatet të kalojnë nën kompetenca të ministrive amë.
“Neve së bashku si shumicë parlamentare, por këtu edhe kolegët e BDI-së i kemi votuar ndryshimet ligjore për organet e administratës shtetërore, ku është parashikuar ulja e personave juridik dhe subjekteve, përkatësisht bashkëngjitjen e inspektoriateve në ministritë amë. Kjo reformë është në kuadër të agjendës reformuese, të cilin e zbaton kjo qeveri dhe qeveria e kaluar, ndërsa është e harmonizuar me planin për rritje të Komisionit Evropian.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Në seancën e komisionit, deputeti i Frontit Evropian, Sali Murat, propozoi amendamente për këtë ligj, por të njejtat nuk u votuan nga shumica e deputetëve.
Përndryshe, me ndryshimet e propozuara nga VMRO-DPMNE dhe Lëvizja “E di”, Inpektoriati për Përdorimin e Gjuhëve, një organ që deri tani ka status juridik, do të kalojë nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë. Këto ndryshime duhet të miratohen me shumicë të dyfishtë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
