Në Arenën “Boris Trajkovski” në Shkup hapet për të 37-ën herë me radhë Panairi i Librit
Në Arenën “Boris Trajkovski” në Shkup...

Në Arenën “Boris Trajkovski” në Shkup u hap për të 37-ën herë me radhë Panairi i Librit, në të cilin me botimet e tyre do të prezantohen 65 shtëpi botuese, ndërsa janë paraparë 110 promovime.
Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, në hapjen e panairit tha se libri është rezistencë ndaj harresës, shtyllë e demokracisë dhe arsimtar që kurrë nuk shkon në pension.
“Edhe sot në kohën e ndryshimeve digjitale dhe ortekëve digjitale, titujve që kanë të bëjnë me informacione të shpejta, informacione që zhduken shumë më shpejtë se sa janë paraqitur, libri bëhet kundërvënësi i fuqishëm dhe i heshtur. Prandaj si Qeveri dhe Ministri e Kulturës e vazhdojmë përkushtimin për përkrahjen e botimeve, promovimin e leximit më së shumti në mesin e të rinjve.”, - deklaroi ministri i Kulturës, Zoran Lutkov.
Në panair do të mund të gjeni edhe libra në gjuhën shqipe të autorëve shqiptarë apo të huaj, botime nga Shtëpia Botuese “Albas”, Shtëpia Botuese “Logos A”, Shtëpia Botuese “Furkan ISM”, Shtëpia Botuese “Nobel”, Shtëpia Botuese “Dituria Islame” nga Kosova dhe nga Shqipëria, Shtëpia Botuese, “Fan Noli”.
“Ne ofrojmë tituj të ndryshëm të zhanreve të ndryshme, po ashtu kemi edhe tituj për të vegjël, duke filluar prej moshës zero e deri më të rritur. Kemi tituj për fëmijë me tinguj dhe pa tinguj, kemi me aktivitete të ndryshme, kemi lektyra të ndryshme për fëmijë të shkollave fillore edhe tituj për të rritur të fushave të ndryshme, p.sh. për zhvillim financiar për zhvillim personal. Vepra të autorëve shqiptarë si Petro Marko, kemi mitologji, kemi albume të ndryshme.”, - theksoi Edona Ferati nga Shtëpia Botuese “Albas”.
“Këtu jemi me radhë çdo vit në panairin e Shkupit, jemi prezent me librat tona në gjuhën shqipe, me revistën tonë dhe me librat në gjuhën maqedonase. Dëshirojnë libra filozofike, poezi misticizëm, ne e ofrojmë më të mirën, mendoj.”, - u shprehën nga Fondacioni për Kulturë dhe Shkencë “Gnosa”, Tetovë.
Në panair kishte edhe mësimdhënës dhe nxënës, të cilët kishin ardhur në formë të organizuar për të vizituar Panairin e Librit.
“Unë jam mësimdhënës. Erdha për t’i sjellë fëmijët fillimisht të shohin çfarë ka, tjetër ditë do të vij vet, po zakonisht preferenca qëndron te librat në gjuhën shqipe, pastaj shohim diçka në gjuhën angleze për përmirësimin e shprehjes, e kështu me radhë.”, - theksoi mësimdhënësi.
“Shumë më pëlqejnë mua librat. Unë lexoj gjithmonë, kështu dhe më ra rasti të vij t’i shoh librat dhe të marr libra të rinj. Unë e kam marr këtë librin “Poliana”, sepse nuk e kam lexuar dhe isha kureshtare ta lexoj.”, - tha një nxënës.
“Kam blerë tre libra, sepse ai është historian i njohur. Kam blerë Aristotelin, kam blerë Ana Frankun për mua dhe një libër për motrën time, Rumi.”, - tha një nxënës tjetër.
“Preferoj libra aksion, librat e Dejvid Uilliams. Më pëlqejnë shumë dhe këtu ka mundësi t’i marr këto libra. Më pëlqen!”, - u shpreh një nxënës.
““Poliano” më pëlqen, që e morëm te libraria, “Kopshti sekret” dhe të shohim disa libra anglisht.”, - u shpreh një nxënëse.
Panairi do të jetë i hapur deri më 14 maj, nga ora 10:00 deri në ora 20:00. Çmimi për hyrje në panair është 100 denarë, ndërsa për grupet e organizuara nga shkollat, 50 denarë. Për fëmijët deri në 12 vjeç nën shoqërimin e prindërve, hyrja është falas. (Abibe Qaili, TVM2)
