Maqedoni
10 vite nga konflikti në Lagjen e Trimave, VLEN: 9 dhe 10 maji – ditë të kobshme për Kumanovën
09.05.2025 11:21
Në kujtesën e errët të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, 9 dhe 10 maji i vitit 2015 do të mbeten përgjithmonë si ditë zie dhe dhimbjeje....

Në kujtesën e errët të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, 9 dhe 10 maji i vitit 2015 do të mbeten përgjithmonë si ditë zie dhe dhimbjeje. Në Lagjen e Trimave të Kumanovës u zhvillua një nga ngjarjet më tragjike dhe më të errëta të pasluftës një operacion i përgjakshëm që mori jetë njerëzish, shkatërroi shtëpi dhe la pas vetes plagë të thella në përjetimet e popullit shqiptar, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
“Një dekadë nga kjo ngjarje nuk nënkupton demencë te populli shqiptar, ne, të gjithë, kujtojmë me shumë dëshpërim ato ditë të trishta, braktisjen e shtëpive, trauma të fëmijëve, ikje, vaj, vuajtje që nuk pluhuroset dot. Ngjarja e Kumanovës nuk është vetëm një kapitull i hidhur në historinë tonë, por edhe një tregues i qartë i dështimit moral, politik dhe institucional të atyre që për vite me radhë kanë keqpërdorur pushtetin në emër të shqiptarëve. VLEN-i shpreh keqardhje të thellë të të gjithë të rënëve dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në ato ditë të kobshme. Njëkohësisht, angazhimi ynë i përhershëm është që e vërteta për 9 dhe 10 majin të mos zbehet kurrë dhe që përgjegjësit për këtë tragjedi të dalin një ditë para drejtësisë.”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
