Botë
Vatikan, Papa Leo XIV nis shërbimin
09.05.2025 13:37
Kreu i sapozgjedhur i Kishës Katolike fillon shërbimin. Sot, Papa Leo XIV do të kremtojë meshën e tij të parë të lartë si Papë në Kishën Katolike në Kapelën Sistine....

Kreu i sapozgjedhur i Kishës Katolike fillon shërbimin. Sot, Papa Leo XIV do të kremtojë meshën e tij të parë të lartë si Papë në Kishën Katolike në Kapelën Sistine. Të dielën, Papa i 267-të do të prezantohet sërish para publikut në Sheshin e Shën Pjetrit – gjatë lutjes së tij të parë të drekës në ballkonin qendror të bazilikës me të njëjtin emër. Nga të gjitha anët po vijnë urimet për zgjedhjen e kreut të ri.
"Është një nder i madh për vendin tonë, që të ketë një papë amerikan. Dua të them, çfarë nderi më të madh mund të kishim ne? U befasuam dhe jemi shumë të lumtur.", - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp.
"Qeveria ime mezi pret të vazhdojë marrëdhëniet e forta të Australisë me Selinë e Shenjtë gjatë pontifikatit të Papës Leo XIV. Ky është një moment që do të sjellë gëzim dhe shpresë për katolikët kudo që janë.", - theksoi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
“Shpresoj që mandati i tij në Fronin e Apostullit Pjetër të jetë i gjatë dhe të hapim një faqe të re, një epokë të re në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe e përsëris, në marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit, për të mirën e njerëzimit.”, - u shpreh Patriarku, Ekumenik Bartolomeu I.
Leo XIV është udhëheqësi i parë amerikan i Kishës Katolike dhe ka përvojë të gjerë në role drejtuese në kishë. Kardinali 69-vjeçar lindi në Çikago dhe kaloi shumë vite si misionar në Peru. Konsiderohet shumë afër vizionit të Papa Françeskut për mbrojtjen e mjedisit, ndihmën për të varfrit dhe emigrantët.
“Mendova se do të ishte një evropian apo dikush tjetër, por gjithsesi ky është një lajm i mirë.”, - tha një banore e Nju Jorkut.
"Jam shumë i emocionuar për këtë, kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për Çikagon për t'i treguar botës katolike, por edhe e gjithë botës, se ne mund të jemi udhëheqës të mëdhenj.", - u shpreh banori i Miluaukes, Uiskonsin.
"Ata zgjodhën një njeri vërtet të mirë që e do Zotin dhe dëshiron të bëjë atë që është e drejtë dhe kjo është ajo që është e rëndësishme.", - tha një banore e Austinit, Teksas.
Papa i ri është emëruar mes ndarjeve të thella të brendshme në Kishën Katolike, konflikteve globale dhe krizës klimatike. Papa i ri pritet që në ditët e para të tregojë drejtimin e pontifikatit të tij përmes një vizioni të qartë, angazhimit diplomatik dhe njoftimeve për reforma.
FITORE DEMOLLI
