Maqedoni
Gjykimi për rastin e Frosina Kulakovës, familja kërkon dënim maksimal për autorin
09.05.2025 14:00
Në Gjykatën Themelore të Shkupit u mbajt seanca e parë gjyqësore për rastin e vrasjes së Frosina Kulakovës...

Në Gjykatën Themelore të Shkupit u mbajt seanca e parë gjyqësore për rastin e vrasjes së Frosina Kulakovës, 24-vjeçares që humbi jetën më 29 janar pasi u përplas në mënyrë brutale nga një makinë në vijat e bardha në zemër të kryeqytetit. 20-vjeçari, Vasil Jovanov, sot në Gjykatën Penale në Shkup pranoi fajin për aksidentin fatal. Në sallën e gjyqit, familjarët dhe të afërmit e saj mbanin bluza me mbishkrimin “Drejtësi për Frosinën”. Kamelia Kulakova, nëna e të ndjerës, Frosina Kulakova, kërkoi dënim maksimal për fajtorin.
“Unë nuk jam thjesht një nënë që ka humbur fëmijën, unë jam një shpirt i shqyer. Jam zëri i Frosinës, sepse ajo nuk mund të flasë. Ajo nuk u përplas, ajo u vra në një mënyrë të paimagjinueshme. Kjo nuk është një aksident trafiku. Kjo është vrasje! Kërkoj dënimin maksimal, jo për hakmarrje, por për drejtësi! Asnjë fëmijë tjetër nuk duhet të pësojë si Frosina. Drejtësia nuk do të ma kthejë vajzën, por do të më kthejë besimin se ajo nuk ka vdekur kot.”, - u shpreh nëna e viktimës.
Edhe babai i saj, Todor Kulakov, theksoi se ky nuk është një gjykim i zakonshëm, por përballje me një sistem të tërë të pandëshkueshmërisë.
“Kur drejtësia humbet vlerën, shteti humb shpirtin. Ne sot nuk luftojmë vetëm për Frosinën, por që asnjë fëmijë tjetër të mos shtypet nga duart e një njeriu të pamëshirshëm që përpiqet të ikë nga përgjegjësia. Frosina ndriçonte gjithkund. Pse, në vend që të vazhdonte drejt, ai ktheu timonin dhe e goditi? A ishte agresion? Kërkoj përgjigje këtu, para të gjithëve!” , - u shpreh babai i Frosinës.
Prokurori i çështjes, Aleksandar Markovski, deklaroi se nuk bëhet fjalë për një “aksident të zakonshëm”, por për një rast të rëndë me shkelje të shumta, të mbështetura nga dëshmi të forta, ekspertiza dhe dëshmitarë. Familja e Frosinës kërkon drejtësi. Ata nuk do të ndalen derisa ta shohin autorin dhe bashkëfajtorët e tij përballë ndëshkimit të plotë.
FARIJE DAUTI BAKIJU