Rajon
Kuvendi i Kosovës, dështoi vazhdimi i 13-të i seancës konstituive
09.05.2025 14:30
Asgjë të re nuk solli edhe përpjekja e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës....

Asgjë të re nuk solli edhe përpjekja e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish nxori në votim propozimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit, por ky propozim nuk mori votat e nevojshme, prandaj kryesuesi e ndërpreu seancën, për ta caktuar seancën e radhës për të dielën. Në kuadër të përpjekjeve për zhbllokim të situatës, AAK e Ramush Haradinaj do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të dhënë mendim rreth propozimit për ndryshimin e mënyrës së votimit për kryetar të Kuvendit.
“Ne veç kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që t’i vlerësojnë vendimet e marra në Kuvend, si rasti i mosinformimit të Komisionit për votimin e fshehtë dhe të gjitha vendimet paraprake, bazuar në procesverbalin e seancave.”, - deklaroi Ramush Haradinaj nga AAK.
Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë asgjë kundër nismës së AAK-së, madje vlerësojnë se në këtë mënyrë do të sqarohej situata.
“Ai që mendon që ka shkelje të Kushtetutës nuk duhet ta mbajë pezull publikun, por duhet ta dorëzojë më në fund në Gjykatë Kushtetuese, sepse vetëm kështu do të mund të sqarohet se a ka apo nuk ka shkelje. Ne mendojmë se kjo është vetëm një propagandë për të arsyetuar bllokadën.”, - deklaroi Donika Gërvalla nga Lista Guxo.
Njëherit partitë politike edhe në pushtet edhe në opozitë shprehen të gatshme të marrin pjesë në një takim që do ta thërriste presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për ta tejkaluar krizën politike në të cilën ndodhet aktualisht Kosova.
“Natyrisht se nëse presidentja na dërgon ftesë, do ta shohim çfarë përmban ftesa dhe për çka na thërret presidentja. Nuk jemi shquar ndonjëherë për ndonjë bllokadë, secili në kuadër të kompetencave të tija kushtetuese duhet të kontribuojë në zhbllokimin e kësaj situate.”, - theksoi Donika Gërvalla nga Lista Guxo.
“Ne nuk kemi as kryeministër, as kryetar Kuvendi, ka mbetur vetëm presidentja nga krerët e shtetit, unë besoj se do t’i përgjigjemi një kërkese të tillë.”, - u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ne kemi bërë thirrje për gjithëpërfshirje. Çdo takim gjithëpërfshirës është vazhdimësi e idesë sonë, prandaj natyrisht se po, nuk mund të bëj ftesë për gjithëpërfshirje në njërën anë, e më pas të refuzojmë një fascilitim.”, - deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kur kanë kaluar tre muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, ndërsa partitë politike ende nuk po arrijnë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, nga kabineti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kanë bërë të ditur se ajo është e gatshme që të ftojë në një takim të përbashkët liderët e partive politike. Nga kabineti i Osmanit nuk kanë dhënë më shumë detaje se kur presidentja do të mund t’i thërriste në takim liderët.
GYLTENE SINANI
