Vrasja në Shtip, LSDM: Përgjegjësia është e Toshkovskit
Pas ngjarjes tragjike në Shtip ka reaguar LSDM...

Pas ngjarjes tragjike në Shtip ka reaguar LSDM. Sipas tyre, vrasja në Shtip ngre pyetje serioze për sigurinë publike.
Nga LSDM pyesin se si është e mundur që një shtetas i huaj të posedojë armë zjarri dhe të arratiset i armatosur nëpër rrugët e qytetit? Përgjegjësia për këtë, sipas LSDM-së, bie mbi ministrin e Brendshëm, Toshkovski, i cili po e humb kontrollin mbi rendin dhe sigurinë në vend.
“Si është e mundur që një shtetas i ri turk të posedojë pistoletë. I kujt është automjeti me të cilën është arratisur dhe ka gjuajtur edhe në pikën pagesore?! Kush e ka lejuar këtë katrahurë ose e thënë ndryshe, kush e ka lejuar këtë anarki, kaos të përgjithshëm nëpër rrugët e qytetit?! Nuk ka ditë pa pasur vrasje, përleshje, qytetarët druajnë për sigurinë e tyre. Kjo është dëshmi se ministri i Brendshëm, Toshkovski, po e humbet kontrollin mbi sigurinë në vendin tonë.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska.
VMRO-DPMNE: Qeveria është e vendosur ta luftojë krimin
Janë kundërpërgjigjur nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, koha e kaosit në vend dhe shkëmbimeve të zjarrit nëpër qytet ka përfunduar me largimin e LSDM-së në opozitë.
“Gjatë sundimit të tyre shtatëvjeçar, LSD-ja e shndërroi vendin në një strehë mafioze dhe një zonë të lirë për kriminelët ndërkombëtarë dhe bosët e drogës. Oliver Spasovski, si ministër i Brendshëm, në vend që të ndiqte penalisht krimin, ai u dha pasaporta maqedonase 215 kriminelëve botërorë. Pas një kohe të gjatë, kemi një Qeveri të vendosur të shkojë deri në fund në betejën kundër krimit.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. (Armend Murseli, TVM2)
