Kuvend, ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale
Nuk do të ketë më qëndrim të qetë në kolltukë pa përgjegjësi...

Nuk do të ketë më qëndrim të qetë në kolltukë pa përgjegjësi. Qytetarët do të kenë mundësinë të kërkojnë llogari dhe të largojnë nga detyra kryetarët e komunave që nuk përmbushin pritshmëritë e tyre.
Kjo do të bëhet e mundur me ndryshimet e reja në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, të cilat tashmë kanë hyrë në procedurë parlamentare.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, theksoi se këto ndryshime nuk janë thjesht korrigjime ligjore, por një hap i fuqishëm drejt forcimit të kapaciteteve demokratike të shoqërisë sonë.
"Propozohet vendosja e një mekanizmi të drejtë, demokratik dhe transparent, përmes të cilit qytetarët, nëpërmjet një referendumi, do të kenë mundësinë të vendosin për besimin ndaj kryetarit të komunës.", - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Deputetët kanë shprehur mbështetje për këto ndryshime ligjore. Sipas tyre, disa kryetarë komunash kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë kryer vepra penale, ndërsa disa të tjerë kanë shërbyer për më shumë se një mandat dhe duhet të shkarkohen për shkak të mosdëshmimit të përgjegjësisë.
"Ky lloj pushteti absolut që ka një kryetar komune, i cili tallet me qytetarët që e kanë votuar, duke qenë i sigurt se nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi, as demokratike, e ka bërë atë të ndihet si një monark absolut. Unë mendoj se këto ndryshime ligjore do të kenë ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm.", - theksoi Bekim Qoku nga VLEN-i.
"Mekanizmi për shkarkimin e kryetarëve të komunave do të jetë një nxitje, që ata të jenë shumë më përgjegjës, më transparentë dhe të kujdesshëm në sjelljen e tyre, pasi nuk do të ketë më kryetarë të pazëvendësueshëm. Prandaj, e përshëndes miratimin e këtij ligji.", - u shpreh deputeti i Lëvizjes “E di”, Daniel Stojçevski.
Përmes këtyre ndryshimeve pritet të forcohet demokracia lokale dhe të vendoset një balancë mes pushtetit dhe përgjegjësisë publike.
Ndryshimet priten të debatohen në seancat e ardhshme parlamentare, ndërsa opinioni publik mbetet në pritje të rezultateve konkrete. (Armend Murseli, TVM2)
