Strugë, aksion “Fundjava e Pastrimit”

09.05.2025 16:31

Struga i bashkohet sërish nismës “Fundjava e Pastrimit”...

Struga i bashkohet sërish nismës “Fundjava e Pastrimit”, një aksion vjetor pastrimi pranveror, që këtë vit zhvillohet që nga data 9 maj 2025 në komunën e Strugës. Me mbështetjen e komunës dhe përfaqësuesve lokalë, qytetarët e Strugës do të kenë mundësinë që të kontribuojnë për një mjedis më të pastër dhe një të ardhme më të gjelbër për brezat që do të vijnë.

“Edhe ne si Kryq i Kuq, i bashkëngjitem këtij aksioni, sepse është për të mirën e qytetit.”, - theksoi një vullnetare tek Kryqi i Kuq.

Nën sloganin “Dielli i gjelbër”, aksioni përfshin mbledhjen e mbeturinave dhe riciklimin e tyre, me qëllim që çdo 10 kilogramë mbeturina të shndërrohen në një pemë të re, në kuadër të projektit të ripyllëzimit “Mali me diell”.

Deri tani, më shumë se një milion kilogram mbeturina janë mbledhur nga mbi 44.000 vullnetarë në 51 komuna.

“Sot kemi dalë për të pastruar qytetin.”, - tha një nxënës.

Për të pasur një qytet të bukur e të pastër, me rastin e 9 Majit -  Ditës së Evropës, kuma e Strugës në bashkëpunim me shkollat dhe Kryqin e Kuq, organizuan aksion për pastrimin e qytetit.

Për ata që dëshirojnë të organizojnë një aksion të pavarur pastrimi, ekziston mundësia për t’u regjistruar onlajn dhe për të marrë mbështetjen e nevojshme. (Fitore Istrefi, TVM2)