Maqedoni
Detaje nga vrasja në Shtip, prokuroria: Vrasësi ka blerë pistoletën në Shkup
10.05.2025 15:21
Prokuroria Themelore në Shtip me detaje të reja për vrasjen e studentit turk...

Prokuroria Themelore në Shtip me detaje të reja për vrasjen e studentit turk. Është urdhëruar hetim kundër 5 personave, ku njëri është dyshuar për vrasjen dhe 4 të tjerë për ndihmë në krim.
Të gjithë janë shtetas turq, dhe disa prej tyre janë regjistruar si banues në Shtip, ndërsa vrasësi dhe një ndihmues nuk kishin banim në Maqedoni. Dyshohet se vrasësi, një i ri 21-vjeçar, bleu një pistoletë 9 mm për 1,100 euro dhe i fshiu të dhënat e saj.
“Me atë armë, më 8 maj në mbrëmje, në një kafe-bar në Shtip, me dashje dhe për hakmarrje i mori jetën një personi, gjithashtu shtetas turk me banim në Shtip. U takuan për të sqaruar keqkuptimet e gjata midis tyre. Por, pas një bisede 15-minutëshe në restorant, i dyshuari shkoi në banjo dhe doli menjëherë, pastaj te dera që ndante pjesën e hapur nga ajo e mbyllur e kafenesë, nxori armën dhe qëlloi disa plumba në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar atij plagë të shumta me armë zjarri nga të cilat më vonë vdiq. Po atë mbrëmje, katër të dyshuarit e tjerë – tre burra dhe një grua, të gjithë të moshës 22 deri në 28 vjeç, ndihmuan autorin e krimit në kryerjen e krimit”, thuhet në kumtesën e prokurorisë publike.
Edhe ministri i punëve të brendshme, Toshkovski tha se policia reagoi në mënyrë efikase pas marrjes së denoncimit dhe shtoi se aktualisht po zhvillohet pyetja e dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm gjatë qëllimit me armë.
“Mendoj se gjithçka që duhet të ndërmarrim është marrë dhe se Ministria e Brendshme ka reaguar në mënyrë efikase, edhe në lidhje me këtë ngjarje konkrete të natyrës kriminale. Sa kam informacion deri tani, po intervistohen disa dëshmitarë të lidhur me ngjarjen kriminale”, u shpreh ministri i punëve të brendshme, Panço Toshkovski.
Sipas MPB-së, vrasësi i studentit në Shtip kishte status turisti në Maqedoni dhe mund të qëndronte deri në 90 ditë. Dy nga ndihmuesit që u ndaluan kishin rezidencë studentore të rregulluar, ndërsa dy të tjerët, përfshirë viktimën, nuk e zgjatën lejen e qëndrimit studentor.
ARMEND MURSELI
