Maqedoni
Partitë politike në terren, fushatë, para fushate
11.05.2025 14:48
Inspektim i aktiviteteve ndërtimore, promovim i projekteve infrastrukturore...

Inspektim i aktiviteteve ndërtimore, promovim i projekteve infrastrukturore, hapja e çerdheve të reja, përurime të ujësjellësve, partitë politike intensifikojnë pjesmarrjen në terren, para zgjedhjeve lokale.
“Një vit zgjedhor dhe partitë politike janë më aktive se kurrë. Projekte që deri dje ishin në letër, tani po promovohen si suksese. Por a është ky një angazhim i sinqertë apo thjesht një marketing politik?”
Politologu Xhenur Iseni vlerëson se kjo qasje e partive politike nuk është demokratike, për shkak se dëmton garën zgjedhore. Sipas Isenit, partitë marrin kësilloj veprime për të mbuluar dështimet e tyre në menaxhimine komunave.
“Këto bëhen që problemet reale, qoftë në nivel lokal apo qendror të mbulohen me këtë lloj para fushate dhe vërehet që partitë, secila, pa përjashtim, kanë një farë lloj droje para zgjedhjeve dhe tani mundohen që me propagandë ti mbulojnë dështimet, qoftë në nivel lokal apo qendror, sepse ne e dimë se të gjitha partitë gati se janë në pushtet, edhe opozita ka disa komuna në pushtet lokal, por edhe partitë që janë në pushtet qendror dhe me këtë lloj fushate mundohet që të zhvendoset vëmendja nga problemet reale të qytetarëve dhe të kthehet vëmendja e opinionit publik në këtë lloj propagande që e zhvillojnë partitë para fushate”, u shpreh politologu Xhenur Iseni.
Krahas projekteve të proklamuara, profesori universitar Ariton Rama vlerëson se qytetarët në vendin tonë ende përballen me mungesë të kushteve elementare infrastrukturore. Ai bëri thirrje që partitë politike të gjejnë zgjidhje reale mbi problemet me të cilat ballafaqohen qytetarëlt e vendit.
“Në komunat tona jemi të vetdijshëm se ende ekzistojnë problemet për ujë të pijshëm, ende ekzistojnë probleme për kanalizimin, ende ekzistojnë probleme ku nuk kemi shkolla të reja apo të rinovuara në hapësira ku jetojnë njerëzit, nuk kemi një përpilim real të një jete të mirëfilltë arsimore dhe kulturore, prandaj them që të gjitha këto peripecitë janë kërkesa primare dhe nuk janë kërkesa të ekzagjeruara”, theksoi politologu Ariton Rama.
Përndryshe, zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
ERSAN PAJAZITI
