Maqedoni

Qeveria, Mickoski: Javën e ardhshme takim të fundit me Taravarin

11.05.2025 16:19

Veprimet e fundit të kryetarit të ASH-së Taravari po qartësojnë kthimin e tij...

Veprimet e fundit të kryetarit të ASH-së Taravari po qartësojnë kthimin e tij në përqafimet e kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe subjektit të tij politik. Kështu vlerësoi kryeministri Hristijan Mickoski, që sipas tij, Taravari po kthehet tek ata që mbi 20 vite e bënë Maqedoninë shkretëtirë, e vodhën, e gjunjëzuan e kriminalizuan.
 
Me gjithë  vendimet e Taravarit sipas kreut të ekzektivit qeveria ka stabiliet, ka shumicë të madhe dhe e gatshme të vazhdojë me reforma.
 
“Zotëri Taravari dhe disa të tjerë rreth tij kanë vendosur që të kthehen në përqafimet e Ali Ahmetit, BDI - së. Unë vetëm mundem t’i uroj fat dhe shpresoj të kemi një takim përfundimar gjatë javës që vjen ku do t’i përmbledhim ato që janë bërë dhe t’i uroj para së gjithash shëndet të mirë. Më së pakti që kam pritur është kthimi prapa në përqafimet e Ali Ahmetit dhe të të tjerëve, por gjithsesi ky është vendim i tij dhe jam i bindur se është edhe vendim i pak personave dhe nuk është vendim i anëtarëve të Aleancës”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Osmani: Vendimi i Taravarit, inkurajues
 
Nga BDI-ja ndërkohë e vlerësojnë qëndrimin e Tarvarit. Nënkryetari i  këtij subjekti politik, Bujar Osmani, për Radion Evropa e Lirë tha se vendimi i Taravarit  është inkurajues. Deri më tani nuk kanë ndonjë  marrëveshje  për bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët të Taravarit për zgjedhjet lokale.
 
“Nuk kemi marrëveshje të tillë. Po i ndjekim ndodhitë në VLEN. Mnedoj se vendimi i Taravarit që ta ngrejë zërin kundër këtij poshtërimi është me të vërtetë vendim inkurajues. Presim që të vazhdojnë ato dinamika atje, pastaj të shohim si do të jenë veprimet në zgjedhjet e ardhme”, theksoi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
 
VLEN:Vazhdojmë me reformat, ndërtimin e shtetit 
 
Nga koalicioni VLEN, duke komentuar deklaratat e fundit të BDI-së thonë se ata po vazhdojnë me punën e tyre për të ngritur shtet institucional.
 
"VLEN është dhe do të mbetet zëri i shpresës, i reformës dhe i drejtësisë. Ne nuk jemi këtu për të prodhuar “tërmete mediatike”, por për të ndërtuar institucione funksionale, për të rikthyer besimin në shtet dhe për të çliruar potencialin e të rinjve, grave dhe gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga koalicioni VLEN.
 
NERMIN MULAKU FEJZULLAHU