Maqedoni
Policët nesër në protestë, kërkojnë rritje të pagave
11.05.2025 16:38
Sindikata e Pavarur e Policisë të hënën do të protestojë...

Kërkon që shtesa prej 30 për qind në paga të llogaritet mbi pagën bazë, e cila, sipas tyre, duhet të jetë e barabartë me pagën minimale shtetërore prej 24.400 denarësh.
Sipas tyre, autoritetet po përpiqen ta paraqesin këtë rritje si pjesë të pagës bazë, gjë që në praktikë e ulë vlerën reale të pagës, duke e lënë atë vetëm rreth 25.000 denarë.
"Do të mbajmë një protestë të madhe të policisë, ku do të kemi të pranishëm edhe kolegë nga vendet e Ballkanit për të na dhënë mbështetje dhe për t’u dërguar një mesazh gjyqtarëve që të mos luajnë me Ligjin, sepse Ligji për Policinë nuk mund të vlejë vetëm kur duhet të ndëshkohen policët, por duhet të vlejë sikurse për të gjithë qytetarët e tjerë në shtet”, u shpreh kryetari i sindikatës së pavarur të policisëv Martin Efremov.
Ata kanë dorëzuar ankesë kundër katër gjyqtarëve, dy nga Gjykata Themelore Civile në Shkup dhe dy nga Apeli, dhe kërkojnë përjashtimin e tyre. Pretendojnë se kanë qenë në konsultime me MPB-në dhe nuk mund të jenë të paanshëm gjatë gjykimit.
"Ne mendojmë se po përpiqen të ndryshojnë praktikën gjyqësore që tashmë e kemi në Gjykatat e Apelit në Gostivar dhe në Manastir, ku është e qartë se paga e punonjësve të policisë përbëhet nga paga bazë dhe një shtesë prej 20, përkatësisht 30 për qind. Paga bazë në shtet duhet të jetë e barabartë me pagën minimale të shtetit, dhe kjo tashmë është konfirmuar, siç ju thashë, nga gjykatat themelore dhe ato të apelit në Manastir dhe Gostivar. Kjo duhet të vlejë edhe në Shkup”, theksoi Efremov.
Nga Sindikata e Pavarur e Policisë presin pjesëmarrje masive në protestë. Ata do të bllokojnë kryqëzimin te Mavrovka nga ora 12:00 deri në 12:30, pastaj do të vazhdojnë përpara Këshillit Gjyqësor.
ARMEND MURSELI
