Maqedoni

Rusia – Ukraina, Putin: Bisedimet më 15 maj

11.05.2025 17:33

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar rifillimin e bisedimeve...

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar rifillimin e bisedimeve me Ukrainën më 15 maj në Stamboll. Kjo ofertë vjen si përgjigje ndaj thirrjes së Ukrainës dhe aleatëve të saj drejtuar Moskës për t’u angazhuar në një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor që do të niste të hënën. 
 
"Pavarësisht gjithçkaje, u propozojmë autoriteteve në Kiev të rifillojnë bisedimet që i ndërprenë në fund të vitit 2022. Të vazhdojnë bisedimet direkte dhe, e theksoj, pa asnjë parakusht. Propozojmë që ato të nisin pa vonesë të enjten që vjen, më 15 maj, në Stamboll, aty ku ishin zhvilluar më herët dhe ishin ndërprerë. Përveç kësaj, një armëpushim i vërtetë, i cili do të respektohej jo vetëm nga Rusia, por edhe nga pala ukrainase, do të ishte hapi i parë, përsëris, drejt një paqeje afatgjatë dhe të qëndrueshme”, u shpreh presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
 
Zelensky: E gjithë bota e ka pritur këtë hap
 
Pas propozimit të Putinit për bisedime direkte më 15 maj, u prononcua edhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
 
"E gjithë bota e ka pritur këtë për një kohë shumë të gjatë. Hapi i parë drejt përfundimit të vërtetë të çdo lufte është ndalimi i zjarrit. Nuk ka asnjë kuptim të vazhdohet me vrasjet as edhe për një ditë më shumë. Ne presim që Rusia të konfirmojë një armëpushim të plotë, të përhershëm dhe të sigurt duke filluar nga nesër, 12 maj, dhe Ukraina është e gatshme për takim", theksoi president i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se përmes këtij propozimi, Putin po përpiqet të fitojë kohë, duke theksuar se për të arritur në bisedime është e domosdoshme një ndërprerje e pakushtëzuar e zjarrit.
 
Trump: 15 maji ditë e madhë për Rusinë dhe Ukrainën
 
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi datën e nisjes së bisedimeve si një ditë të madhe për Rusinë dhe Ukrainën, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet me të dyja palët për të arritur paqen.
 
"Mendoni për qindra mijëra jetë që mund të shpëtohen nëse shpresojmë që kjo gjakderdhje e pafund të marrë fund. Do të ishte një botë krejtësisht e re dhe shumë më e mirë. Do të vazhdoj të bashkëpunoj me të dyja palët për të siguruar që kjo të ndodhë. SHBA dëshiron të fokusohet në rindërtim dhe tregti," – shkroi Trump në rrjetet sociale.
 
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri polak Donald Tusk, me mbështetje nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Kievi, i vendosën një ultimatum Putinit, duke kërkuar të pranojë një armëpushim 30-ditor që do të niste të hënën.
 
Në rast të refuzimit, ata paralajmëruan se Perëndimi do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë dhe do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë.
 
ARMEND MURSELI