Maqedoni
Rigjykimi për Spitalin Modular në Tetovë, pas 4 ditëve priten fjalët përfundimtare
12.05.2025 14:27
Gjykata e Tetovës përfundoi seancat gjyqësore pas rigjykimit të rastit për Spitalin Modular...

Gjykata e Tetovës përfundoi seancat gjyqësore pas rigjykimit të rastit për Spitalin Modular, ku si pasojë e zjarrit humbën jetën 14 persona. Ndërsa vendimi dhe fjala e fundit do të jepet më 16 maj për të akuzuarit në këtë rast. Familjarët e viktimave të Spitalit Modular nuk janë të kënaqur me procesin gjyqësor dhe sipas tyre janë shumë të dëshpëruar nga drejtësia e vendit tonë.
“Ne presim të dalë e vërtetë, pasi ne që kemi qenë familjarët aty, asgjë kundër zjarrit nuk kemi parë në këto tre javë. Ne duam të dalë e vërteta në shesh. E vërteta të shpallet kush ka qenë fajtori atë ditë. Duhet të ishte fajtor dikush, nuk mund të digjet spitali pa një arsye.”, - u shpreh një familjare e viktimave të Spitalit Modular në Tetovë, Qanie Selmani.
“Ne nga kjo seancë pritëm më tepër, se do të jetë fjala përfundimtare dhe do ta marrin dënimin e merituar të dënuarit, por kjo nuk ndodhi. Ndodhi seanca e radhës më 16 maj në ora 12:00. Ne jemi shumë të dëshpëruar nga drejtësia e RMV-së. Drejtësi këtu nuk do të ketë asnjëherë.”, - tha një familjar tjetër i viktimave të Spitalit Modular në Tetovë.
“Gjyqtari këtë herë duhet të jetë pak më i ashpër, sepse edhe gjyqtari, nëse kalon pjesën e korrupsionit ose krimit, s’ka këtu më asgjë. Do të na djegin për së treti, së katërti, pas katër vitesh.”, - u shpreh njëri nga familjarët e viktimave të Spitalit Modular në Tetovë.
Rasti i Spitalit Modular në Tetovë po rigjykohet, pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë. Në këtë rast akuzohen ish-drejtori mjekësor i spitalit, Florin Besimi; ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi dhe Spitali i Tetovës, si person juridik. Besimi dhe Etemi akuzohen për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa IShP Spitali Klinik i Tetovës, për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
VISAR SADIKI
