Botë
Lufta në Ukrainë, përpjekje për negociata paqeje
12.05.2025 15:15
Ukraina e fajëson Rusinë, pasi mbi 100 dronë kanë goditur disa rajone të saj...

Ukraina e fajëson Rusinë, pasi mbi 100 dronë kanë goditur disa rajone të saj, edhe përskaj ultimatumit që Moska të pranojë një armëpushim 30-ditorë. Që kur presidenti rus, Vladimir Putin, ftoi për negociata Kievin pa parakushte më 15 maj, Zelenski njoftoi se është i gatshëm të takohet me shefin e Kremlinit.
“Këtë të enjte, më 15 maj, do të jem në Turqi dhe pres që Putini të vijë vetë dhe ta takoj personalisht. Shpresoj që kësaj radhe, ai të mos gjejë justifikime se përse nuk ka kohë të vijë. Ne jemi gati për të biseduar, që t’i japim fund kësaj lufte. Të enjten, në Turqi, presidenti Tramp tregoi mbështetje. Të gjithë liderët e mbështesin këtë takim.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Gjatë fundjavës liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, gjatë vizitës në Kiev dhe bisedës telefonike me kreun e Shtëpisë së Bardhë, kërkuan ndërprerjen e luftës, në të kundërtën paralajmëruan sanksione dhe furnizimin e Ukrainës me armatim.
“Që të fillojmë me çfarëdo negociatash për paqe duhet patjetër të ketë armëpushim. Gjithashtu duhet të kuptojmë nëse edhe Rusia e dëshiron një gjë të tillë. Duhet të tregojë vullnet të mirë, të ulet dhe të bisedojë me Ukrainën. Duhet patjetër t’i bëjmë presion Rusisë, të dëshirojë paqen dhe të ulet në tryezën e bisedimeve me Ukrainën.”, - theksoi shefja e Diplomacisë së Jashtme e BE-së, Kaja Kallas.
“Është koha kur Putini duhet ta kuptojë dhe ta marrë seriozisht paqen në Evropë. Të ndërpresë luftën dhe të ulet në bisedime. Ne në Evropë do të bëhemi gati për çfarëdo lloj paqeje dhe ky do të jetë thelbi i diskutimeve tona. Por, gjithashtu duhet të jemi të përgatitur, edhe nëse kjo mungesë serioziteti nga Putini vazhdon. Ne jemi gati edhe nëse nuk marrim përgjigje për paqe.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme në Britani, Dejvid Lami.
Zëdhënësi i Kremlinit për një media amerikane shprehu dyshime në lidhje me gatishmërinë e Ukrainës për negociata.
“Mendoj se presidenti Tramp do ta shfrytëzojë ndikimin e tij të madh mbi Ukrainën për ta afruar idenë e negociatave. Ukraina përpiqet t’ju ikë negociatave.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Ndërkohë, Polonia ka njoftuar synimin për të mbyllur konsullatën ruse në Krakovë, pasi janë gjetur prova që Moska është përgjegjëse për zjarrin e madh, i cili përfshiu qendrën më të madhe tregtare në Varshavë në maj të vitit të kaluar. Nga ana ruse thuhet se Polonia ka ndërprerë me qëllim marrëdhëniet shtetërore.
FARIJE DAUTI BAKIJU
