Botë

Bllokada ushqimore në Gazë, Gjermania kërkon nga Izraeli zhbllokim të ushqimit

12.05.2025 15:44

Ndihmat humanitare për Gazën duhet të lëshohen menjëherë, pasi njerëzit atje vdesin nga uria....

Ndihmat humanitare për Gazën duhet të lëshohen menjëherë, pasi njerëzit atje vdesin nga uria. Kjo ishte kërkesa e presidentit gjerman, Frank Ualter Shtejnmejer, gjatë takimit me presidentin e Izraelit, Isak Herzog, në kopshtin e Kështjellës Bellevue në Berlin, ndërsa Gjermania dhe Izraeli po festojnë  60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.  
 
“Shkatërrimet në Gazë janë të mëdha dhe media gjermane po raporton për vuajtjet në rritje të njerëzve çdo ditë atje. Kjo nuk lë askënd të paprekur. Dhe për këtë arsye ju kërkova të angazhoheni, që ndihma humanitare të hyjnë përsëri për njerëzit e Gazës. Bllokada për ndihmë duhet të hiqet, furnizimet me ndihmë humanitare, furnizimet me ndihmë mjekësore, jo ndonjëherë, por kjo duhet të bëhet tani.", - deklaroi presidenti gjerman, Frank Ualter Shtejnmejer.
 
“Lidhur me çështjen e ndihmës humanitare në Gazë është një çështje shumë e rëndësishme, sepse besoj se ka një lloj shtrembërimi në imazhin botëror. Izraeli është i përkushtuar, i përkushtuar me vendosmëri për të vepruar në mënyrë strikte sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Ne si shtet kërkojmë të lirojmë pengjet, prandaj përpiqemi në këtë mënyrë.”, - theksoi presidenti i Izraelit, Isak Herzog.
 
Punonjësit e ndihmës humanitare paralajmërojnë se furnizimet po pakësohen në mënyrë të rrezikshme, për shkak të bllokadës izraelite, duke thelluar krizën ushqimore dhe duke prekur në veçanti fëmijët palestinezë, të cilët vdesin edhe nga uria. Ndërkohë Izraeli vazhdon bombardimet intensive në Gazë. Në 24 orët e fundit në spitalet në Gazë janë sjellë 33 të vrarë dhe 94 të tjerë të plagosur.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU