Maqedoni
ASh kalon në opozitë, Taravari: s'duam të jemi “kukull” në Qeveri
12.05.2025 21:52
Aleanca për Shqiptarët kalon në opozitë...

Pas takimit me strukturat partiake kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se kanë vendosur përfundimisht që të dalin nga Qeveria.
Theksoi se në zgjedhjet e fundit kanë premtuar për të sjellë ndryshimin, mirëpo siç tha ky ndryshim nuk ishte ai që kanë premtuar para qytetarëve. Taravari tha se ASH është unike dhe do të vazhdojë në hapjen e shtabeve për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.
“Sollëm vendim që Aleanca për Shqiptarëvt të shkon në opozitë. Vitin e kaluar së bashku me partitë e VLEN-it arritëm që ta sjellim ndryshimin, por ky ndryshim nuk është ai ndryshim që e premtuam por vetëm një zëvendësim. Ne u munduam këto një muaj e gjysëm që të gjejmë një gjuhë të përbashkët që përpos asaj që dalim me lista të veçanta për këshilltar, të gjejmë gjuhë të përbashkët për përkrahje me kandidatët për kryetar komunash që do ti nxjerr VLEN-I, por konstatuam se nuk gjejmë aty gjuhë të përbashkët, praktikisht është e pamundshme dhe Aleanca për Shqiptarët nuk ka besim të ndërsjellë mes partive të koalicionit në Qeveri, dhe kur ka dyshime dhe konspiracione nuk i mbetet gjë përveç të mos jetë pjesë e atyre dyshimeve dhe konspiracioneve”, u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
VLEN: Kemi shumicën për t’i vazhduar projektet
Nga VLEN-i theksojnë se mbeten të përkushtuar në realizimin e premtimeve dhe përfaqësimin e shqiptarëve.
"Kjo qeveri e ka shumicën e mjaftueshme për t’i vazhduar projektet në dobi të qytetarëve. VLEN-i është aty në emër të 107 mijë votave shqiptare dhe jo në emër të ndonjë partie ose emri të përveçëm. Ne i përfaqësojmë jo vetëm ata 107 votues, por edhe programin politik të luftës kundër korrupsionit që është mbështetur nga ata votues.".
VMRO-DPMNE: Në Qeveri s’ka vend për bashkëpunëtorë të BDI-së
Në Qeveri nuk ka vend për bashkëpunëtorë të BDI-së. Kështu janë përgjigjur nga VMRO-DPMNE, sa i përket paralajmërimit për largimin e Taravarit nga Qeveria. Vlerësojnë se koalicioni qeveritar është stabil dhe ka shumicë parlamentare.
“Qeveria është stabile dhe për këtë nuk ka dilemë askush. Kemi mbështetje serioze nga pothuajse 2/3 e deputetëve dhe kjo do të vërtetohet shumë shpejt përmes procedurave të caktuara kuvendore. Ajo që është e rëndësishme është se duam që të japim porosi se në Qeveri nuk ka vend për bashkëpunëtorë të BDI-së.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Lëvizja "E di": Qeveria është stabile
Në pyetjen se çfarë komunikimi ka me deputetët e Aleancës dhe nëse ka paralajmërime se dikush do të qëndrojë në këtë shumicë qeveritare, përgjigjen nga Lëvizja "E di".
“Aleanca për shqiptarët nuk morën pjesë në koordinimin e sotëm dhe nuk është mirë të përgjigjem se çfarë do të ndodhë me deputetët. Një subjekt politik nga 4, që morën pjesë me VLEN-in, mbeten 3 parti të bashkuara në një subjekt politik VLEN. Kjo parti është gjithçka, por jo monoetnike.”, - u shpreh Vesna Bendevska nga Lëvizja “E di".
BDI: Është koha për zgjedhje të parakohshme
Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon se largimi i një partneri shqiptar nga Qeveria krijon shumicë politike pa legjitimitet etnik, duke e shndërruar atë në një Qeveri monoetnike. Nga kjo parti vlerësojnë se është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare. "Çdo ditë që kjo Qeveri refuzon kërkesat e shqiptarëve, është një ditë më shumë në largimin e shqiptarëve nga proceset shtetërore. Kjo shumicë parlamentare ka dështuar në interesat strategjike kyçe të shtetit dhe për këtë po shpërbëhet. Është koha që legjitimiteti i përfaqësuesve politikë të rivlerësohet përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.".
Pas kërkesave të BDI-së për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, nga VLEN-i ndajnë qëndrimin se zgjedhjet e vetme që do të mbahen janë ato lokale, në të cilat sipas tyre do të sillet ndryshimi, do të mposhtin krimin, korrupsionin dhe paaftësinë qeverisëse të BDI-së dhe funksionarëve të saj përgjatë këtyre 23 viteve.
ARMEND MURSELI
