Maqedoni
Panairi i Librit, oferta e gjerë, interesi i ulët i publikut
12.05.2025 16:28
Me të drejtë është thënë se libri është një mik shekullor i njeriut që tani gjithnjë e më tepër po e humb këtë status përballë teknologjisë...

Me të drejtë është thënë se libri është një mik shekullor i njeriut që tani gjithnjë e më tepër po e humb këtë status përballë teknologjisë, internetit dhe rrjeteve sociale, prandaj panairi është një përpjekje e vazhdueshme e kësaj miqësie, që zhvillohet çdo vit në Shkup.
Megjithatë krahas një game të gjerë librash, që ofrojnë shtëpitë botuese, pjesëmarrëse në Panairin e Librit, interesimi i qytetarëve për ta vizituar mbetet në nivel të ulët. Vizitat më të shpeshta vijnë nga arsimtarë dhe nxënës, të cilët marrin pjesë përmes organizimeve shkollore. Veç interesimit të dobët përfaqësuesit e shtëpive botuese shprehen të zhgënjyer edhe me pozicionimin e tyre në hapësirën e panairit. Ata ftojnë lexuesin shqiptarë, që ta vizitojnë panairin.
“Vizitueshmëria nuk është në nivel të kënaqshëm, sidomos në pjesën shqiptare. Jemi të vendosur në cep të sallës, ku qarkullimi është i ulët. Megjithatë, ata që vijnë janë blerës të vërtetë. Ne kemi nevojë për më shumë vizitorë të rinj.”, - theksoi Agim Abazi nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM”.
“Panairi i Librit vazhdon edhe për tre ditë. Jemi drejt përfundimit dhe i ftojmë të gjithë ata që ende nuk kanë pasur mundësi të na vizitojnë, ta bëjnë këtë. Do të gjejnë një përzgjedhje të gjerë librash – nga botimet më të reja shqiptare dhe kosovare, deri tek autorë ndërkombëtarë.”, - u shpreh Muhamed Asllani nga Shtëpia Botuese “Nobel”.
“Kemi pasur interesim si nga shkollat, ashtu edhe nga fëmijët dhe të rriturit. Ne, si shtëpi botuese jemi të fokusuar kryesisht në zhanrin për fëmijë dhe kemi vërejtur se pikërisht fëmijët janë më të interesuar për librin.”, - theksoi Shyrete Ajrullahi nga Shtëpia Botuese “Albas”.
Nxënësit që kanë vizituar panairin shprehen të entuziazmuar nga titujt që kanë zbuluar, duke theksuar rëndësinë e librit në gjuhën shqipe për pasurimin e fjalorit dhe njohurive të përgjithshme.
“Më mirë është në shqip. Në internet kemi shumë anglisht, por këtu njohëm shumë autorë shqiptarë. Ishte një aventurë e bukur me shkollën.”, - tha një nxënëse.
“Më pëlqejnë librat për fenë dhe ato në shqip. Më dhuruan një poezi shumë të bukur “Dhëndri dhe nusja”, që mezi pres ta lexoj.”, - tha një nxënëse tjetër.
“Libri që mora sot ishte shumë frymëzues, kishte poezi në anglisht dhe shqip. Bleva librat që kisha planifikuar dhe disa të tjerë që i gjeta rastësisht.”, - u shpreh një nxënëse.
“Panairi është i mrekullueshëm, por mungojnë vizitorët nga shkollat shqipe. Kam ardhur me nxënësit për t’i njohur me shtëpitë botuese dhe titujt më të njohur.”, - theksoi një bibliotekiste.
Organizatorët e panairit presin që në ditët e mbetura të ketë më shumë interes, sidomos nga lexuesit e rinj dhe familjarët, që duan të pajisen me libra cilësorë për të gjitha moshat.
ABIBE QAILI
