Maqedoni

Spekulime për këmbim resorësh, Janevska s’e di nëse duhet të ikë nga MASh-i

13.05.2025 14:31

Janevska nuk është në dijeni nëse ajo do të duhet të lëshojë ose jo karrigen e kësaj ministrie...

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, nuk është në dijeni nëse ajo do të duhet të lëshojë ose jo karrigen e kësaj ministrie pas largimit të ASh-së së Tarvarit nga Qeveria, ku janë përhapur spekulime se mund të vijë deri në këmbimin e ministrive, ku Ministria e Arsimit do t’i takojë koalicionit VLEN, ndërsa shëndetësia VMRO-DPMNE-së. Për këto gjëra, Janevska thotë, se nuk është e informuar, ndërsa fjalën e fundit sipas saj, e jep kryeministri.
 
“Shteti ka kryeministër dhe me siguri ka edhe ekip negociues. Kjo është punë e tyre dhe ata do të tregojnë se si do të bëhet. Është shumë herët të mendohet për ndryshime, ju tregova se kush janë përgjegjës, kur do të vijë ai moment, atëherë do të bisedojmë. Kam lexuar në media, por në këtë moment unë si ministre e Arsimit dhe Shkencës kam aq shumë punë për t’i kryer, kuptohet për të gjitha mandatet dhe nuk mendoj gjë tjetër, pasi që nuk jam e kyçur në ato negociata apo spekulime. Përsëri ju them se ka person përgjegjës, i cili do të tregojë se si duhet bërë.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Janevska pranon se ka dëgjuar kërkesën e disa liderëve të VLEN-it se e kërkojnë MASh-in në këmbim të Shëndetësisë, por nuk dëshiron të komentojë asgjë, sepse nuk është punë e cila i takon asaj.
 
Manasievski: Kjo nuk është e vërtetë
 
Nga VMRO-DPMNE hedhin poshtë spekulimet se po diskutohet për shkëmbimin e ministrive brenda koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE – VLEN.
 
“Sonte partia do të mbajë mbledhjen e komitetit ekzekutiv, ku do të diskutohet edhe për këtë çështje. Demantojmë se deri më tani kemi biseduar për shkëmbimin e ministrive apo resorëve, respektivisht kush do ta udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë, kjo nuk është e vërtetë.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Paraprakisht, njëri prej liderëve të VLEN-it, Bilall Kasami, në intervistën e tij të fundit për “360 shkallë” tha se brenda Qeverisë po diskutohet për kombinimet për shkëmbime të mundshme të vendeve ministrore, të cilët do të lirohen me largimin e Taravarit nga Qeveria. Kasami deklaroi se nuk përjashtohet mundësia që VLEN-i të japë Ministrinë e Shëndetësisë në këmbim të Ministrisë së Arsimit.
 
REXHEP QAMILI