Mbrëmja e maturës, nxënësit janë përgatitur për ta festuar
Maturantët janë përgatitur për mbrëmjen e maturës...

Maturantët janë përgatitur për mbrëmjen e maturës. Ata me emocione shprehen për mbrëmjen e fundit që do ta festojnë së bashku me të gjithë gjeneratën. Sipas tyre, edhe përskaj standardit të lartë që është në RMV, ata kanë blerë rroba të shtrenjta për të festuar mbrëmjen e maturës.
“Po, si të gjithë nxënësit tjerë jemi përgatitur për mbrëmjen e maturës. Besoj që do të jetë një mbrëmje e shkëlqyeshme dhe presim ta festojmë si të gjithë maturantët e tjerë. Përgatitjet për atë mbrëmje mua më kanë kushtuar afërsisht 300 - 400 euro, për tjerat, nuk e di, besoj që secili dëshiron të ketë rroba të mira. Për standardin, të them se është i shtrenjtë, sepse në Maqedoni rrogat nuk janë të larta, përgatitja është më e shtrenjtë mbi standardin.”, - tha një nxënës.
“Po, këtë javë i kemi përfunduar të gjitha përgatitjet, si blerja e rrobave, të gjitha i kemi përfunduar. Çmimet mu dukën reale, në bazë të gjithave nuk m’u dukën diçka shumë të shtrenjta. Beso që secili maturant i ka pasur kushtet për t’i arritur të gjitha shpenzimet.”, - tha një nxënës tjetër.
Dizajnuesi, Neshat Loki, thotë se interesimi i maturantëve për qepjen e rrobave për mbrëmjen e maturës është i madh. Ai thotë se maturantët porositin veshje që janë më në trend për këtë sezon.
“Sezoni i maturantëve ka nisur edhe më herët. Si zakonisht i bëjnë porositë më herët. Është pak më intensive. Interesimet janë të mëdha. Maturantët kërkesat dhe pëlqimet i kanë të ndryshme. Çdo vit janë ndryshe, po ashtu edhe trendet, si zakonisht ndryshojnë. E shohin të gjithë besoj tek celularët tanë, më shumë anojnë tek ngjyrat që bien në sy, që japin një pasqyrim më luksoz tek metaliku ngjyra e arit.”, - theksoi dizajnuesi, Neshat Loki.
Institucionet arsimore në bashkëpunim me drejtuesit e restoranteve dhe autoritetet, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e maturantëve gjatë organizimit të mbrëmjeve të tyre festive.
Restorantet janë kontrolluar për të verifikuar përmbushjen e kushteve të nevojshme, duke nisur nga pajisjet kundër zjarrit, shkallët e emergjencës dhe hapësirat e evakuimit, deri tek siguria ushqimore dhe ndalimi i përdorimit të alkoolit apo substancave të tjera të rrezikshme.
Deri më tani, gjatë mbrëmjeve të maturës nuk janë raportuar incidente, por autoritetet e kanë rritur sigurinë pas tragjedisë së Koçanit. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
