Mblidhen liderët e bashkësive fetare, nënshkruhet deklarata kundër ekstremizmit
Liderët e bashkësive fetare në vend...

Liderët e bashkësive fetare në vend, nënshkruan deklaratën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Gjatë nënshkrimit u theksua se bashkësitë fetare janë ndër faktorët kyç për parandalimin dhe ndalimin e ekstremizmit të dhunshëm, pasi prania dhe aktivitetet e tyre me besimtarët mund të jenë shumë të dobishme për forcimin e komuniteteve në tërësi.
“Të vetëdijshëm se Republika e Maqedonisë është shtëpi e përbashkët e popujve, kulturave dhe besimeve të ndryshme, si dhe se bashkëjetesa është një vlerë që duhet vazhdimisht të kultivohet dhe mbrohet, thuhet në deklaratë. Të përballur me keqpërdorimin e fesë si justifikim për ndarësi dhe dhunë, me forma gjithnjë më të shpeshta të gjuhës së urrejtjes dhe procese të radikalizimit që çojnë në dhunë dhe ekstremizëm të dhunshëm, me dezinformata, narrative ideologjike dhe propagandë që shtrembërojnë thelbin e fesë dhe nxisin mosbesim.”, thuhet në deklaratë.
Kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, mbështet fuqishëm deklaratën, por kërkoi që Qeveria t’i informojë bashkësitë fetare, kur bëhet fjalë për çështje fetare.
Ai tha se BFI është e vetëdijshme se ekziston një valë e ashtuquajtur ndikimesh të huaja për mësime të ndryshme islame.
“Bashkësia Fetare Islame përpiqet dhe është e vendosur të jetë një bashkësi fetare konstruktive në shoqërinë tonë dhe çdo akt që del jashtë rregullave të fesë islame, përkatësisht çdo dukuri që është në kundërshtim me normat fetare, BFI gjithmonë i ka dënuar dhe do t’i dënojë. Çdo ndikim individual të tillë ne do ta dënojmë dhe gjithçka që bëhet nga vende të ndryshme të botës jashtë bashkëpunimit me BFI-në, është e papranueshme dhe do të luftojmë pa kompromis kundër aktiviteteve individuale, përveç atyre që janë në kuadër të bashkëpunimit të BFI-së me vendet e tjera.”, - deklaroi kryetari i BFI-së, Shaqir ef.Fetahu.
Nënshkrues të deklaratës janë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase, Kryepeshkopata e Ohrit, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, ipeshkvi i Shkupit dhe ipeshkvi i Strumicë-Shkupit, mbikëqyrës i Kishës Ungjillore Metodiste, kryetari i Bashkësisë hebreje, si dhe drejtuesit e Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze. (Abibe Qaili, TVM2)
