Maqedoni
Reagimet pas largimit të Taravarit, Mexhiti: Ti po kthehesh te lista e zezë
13.05.2025 15:15
Largimi i Arben Taravarit nga Qeveria sjell përplasje dhe reagime të reja mes oponentëve politikë..

Largimi i Arben Taravarit nga Qeveria sjell përplasje dhe reagime të reja mes oponentëve politikë në vend duke fajësuar njëri-tjetrin për arritje, por edhe dështime që janë në disfavor të qytetarëve. Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, akuzon se Taravari ka penguar ndryshimin dhe ka tradhtuar Qeverinë. Ai me këtë rast fton të gjithë aktivistët, simpatizantët dhe votuesit që ndjehen të mashtruar, të tradhtuar dhe të lënë në mes të rrugës pa orientim të mbesin pjesë e VLEN-it.
"Ti nuk e solle ndryshimin. Ti e pengove ndryshimin. Ti nuk po kthehesh te populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë. Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhtove Qeverinë. Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASh-së. Ti e mashtrove anëtarësinë e ASh-së. Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari, intelektual apo i paarsimuar, punëtor ose afarist, burrë a grua, ti je zhgënjimi i secilit aktivist e simpatizant, i secilit shqiptar e shqiptare, që e votoi dhe e mbështeti ndryshimin.".
Sejdiu: Dikush del, dikush hyn
Blerim Sejdiu nga VLEN veprimin e Taravarit e sheh si një gabim që ka filluar ta kujtojnë edhe strukturat e tij që duan të largohen nga partia, pasi nuk duan të jenë pjesë e BDI-së. Paralajmëroi zhvillime të reja politike pa dhënë detaje.
“Ky gabim vërtet do të jetë gabim që do ta kujtojë ai fillimisht, por edhe strukturat e tij. E shihni se çdo ditë ka prononcime nga struktura zyrtare të ASh-së që largohen nga ky vendim. Askush nuk pranon nga ajo strukturë të bëhet me BDI-në. Dera kur hapet dikush del, dikush hyn, ajo është shumë e vërtetë. Ne presim të ndodhin disa zhvillime politike në skenën në Maqedoni dhe për këtë do të shihni edhe ju. Unë nuk mund të jap informacione para konfirmimit të vet subjekteve politike, por mendoj se do të ketë zhvillime të reja.”, - deklaroi Blerim Sejdiu nga VLEN.
VMRO: Taravari s'ka folur kurrë për balancuesin
VMRO-DPMNE përgënjeshtron deklaratën e Taravarit, sa i përket ngecjes së çështjeve me interes për shqiptarët. Sipas tyre, Taravari në asnjë mbledhje qeveritare nuk ka folur as për balancuesin, e as për Ligjin e Gjuhëve.
“Në ato takime z. Taravari asnjëherë nuk ka diskutuar për Ligjin e Gjuhëve, as nuk është diskutuar për rregullimin ligjor të balancuesit. Ai kurrë nuk ka folur dhe as e ka dëgjuar të flasë askush për integrimin në BE, se ai është i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes së trashëguar me Bullgarinë, të krijuar pikërisht nga ata në krahët e të cilëve po ecën tani. Por, dimë që ai ka qenë i interesuar për koncesionarin e parkingut të Qendrës Klinike “Gjoka”, pasi është eliminuar nga loja. Ai ishte shumë i interesuar për z. Artan Grubi, z. Zoran Zaevin dhe bizneset e tyre dhe çështje të rëndësishme për BDI-në.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Taravari: Veterani i BDI-së flet për ndryshim
Akuzave të ish-partnerit të tij të koalicionit, Izet Mexhiti, nuk i ka munguar përgjigje nga Taravari përmes rrjetit social Fejsebuk.
"Të flasë për ndryshim një veteran, pensionist i BDI-së që u nda prej saj vetëm për konflikte interesi, e që shumë shpejt pushteti e verboi me shkëlqimin e tij, është sa absurde, po aq edhe qesharake! Të shkosh me ty është të paralizohesh!”, ka shkruar Taravari në Fejsbuk.
LSDM: Qeveria po shembet
LSDM vlerëson se dalja e Taravarit nga Qeveria tregon se kjo Qeveri ka filluar të shembet, sepse është formuar vetëm për të kënaqur kërkesat personale.
“Partnerët po largohen dhe qytetarët janë apatikë, sepse shohin se kësaj Qeverie i mungon kapaciteti. Askush nuk duhet të jetë bashkëpunëtor dhe pjesë e shembjes së shtetit në humnerën drejt së cilës po na çon Mickoski. Të gjithë ata që qëndrojnë me Mickoskin janë pjesë e të njëjtit problem. Ata me vetëdije mbështesin drejtimin e dëmshëm dhe mbajnë të njëjtën përgjegjësi. Kjo është një qeveri pa sistem, pa plan, pa rezultate. E vetmja gjë që funksionon në këtë Qeveri janë interesat personale.”, - theksoi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
Ndryshe mbrëmë, kryesia e Aleancës për Shqiptarët - krahu i Arben Taravarit, vendosi që të kalojë në opozitë. Sipas Taravarit, koalicioni VLEN ka sjellë rotacionin politik, por jo edhe ndryshimin e premtuar. Por, nga koalicioni qeveritar thonë se kanë shumicën për të vazhduar projektet.
FLORIJE KAMBERI
