Maqedoni

Ligji për përfaqësim të drejtë, Sejdiu: Do të miratohet para zgjedhjeve

13.05.2025 15:44

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të miratohet para zgjedhjeve....

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të miratohet para zgjedhjeve. Nga Lëvizja “Besa”, pjesë e VLEN-it, sigurojnë se ligji është përfunduar dhe këtyre ditëve pritet të mbërrijë në Kuvend për miratim.
 
“Ligji për përfaqësim është gati dhe unë mendoj se para zgjedhjeve do të sillet si ligj, kështu që le të shohim kur do të jetë momenti. Ne ashtu jemi të njoftuar nga deputetët tanë në mbledhjen e fundit që i patëm në kryesinë e VLEN-it se ligji do të sillet para zgjedhjeve dhe presim që dita-ditës të votohet në Parlament.”, - deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja “Besa”.
 
BDI: Shqiptarët degradohen në MPB dhe Armatë
 
Por, nga BDI thonë se në mungesë të balancuesit, shqiptarët po largohen nga pozitat kyçe. Integristët në fokus vënë degradimin e shqiptarëve në Ministrinë e Brendshme dhe Armatë.
 
“Emërimet një etnike dhe partiake në strukturat e sigurisë, si dhe degradimi poshtërues i kuadrove profesionale policore me përkatësi etnike shqiptare, minojnë parimin e përfshirjes – shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit. Pikërisht prania dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në polici dhe ushtri ishin parakushte për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas vitit 2001. Sot, po shohim një proces të kundërt: çmontimin e mekanizmave të balancës, që çon drejt rikthimit të mosbesimit dhe ndjenjës së përjashtimit te një popull të tërë.”, thonë nga BDI.
 
Kryeministri, Hristijan Mickoski, në të gjitha prononcimet e tij paraprake ka siguruar se po punohet për zgjidhje ligjore rezistente dhe reale. Përpjekjet për përpilimin e një ligji vijnë pasi instrumenti balancues u shua nga Gjykata Kushtetuese në tetor të vitit të kaluar, i cili kishte rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Nga momenti i rrënimit të këtij mekanizmi, punësimet në baza etnike janë vënë në pikëpyetje.
 
MERAL ISMAILI