Rajon
Eurointegrimi i Serbisë, kusht, dialogu me Kosovën dhe raporti me Rusinë
13.05.2025 16:04
Dënimi i qartë i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian...

Dënimi i qartë i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, gjatë vizitës në Beograd.
"Topi tani është në pjesën tuaj të fushës dhe ju lutem mos humbim kohë, sepse e ardhmja nuk do të presë.", tha Kosta në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kosta shtoi se ai ka biseduar me Vuçiqin për reformat që Serbia duhet të ndërmarrë për të hapur kapitullin e ardhshëm në rrugën e integrimeve evropiane.
Gjatë më shumë se tre viteve të fundit, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në bisedimet me Bashkimin Evropian, të cilat i ka nisur që nga viti 2014.
Kosta ndodhet në Beograd si pjesë e një vizite disaditore në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Pas Beogradit, ai do të shkojë në Sarajevë, Podgoricë e Prishtinë, ndërsa më 15 maj do të vizitojë Shkupin dhe Tiranën, ku më 16 maj do të mbahet Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane.
