Botë
Vazhdojnë bombardimet ruse në Ukrainë
13.05.2025 16:28
Skadon ultimatumi i BE-së ndaj presidentit rus, Vladimir Putin....

Skadon ultimatumi i BE-së ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Moska nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për propozimin për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, i cili duhej të hynte në fuqi në mesnatën e 12 majit. Pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe sanksioneve të paralajmëruara, Rusia ka vazhduar bombardimet mbi Ukrainë dhe deklaruan se ultimatumet janë të papranueshme.
“Për fat të keq, bota akoma nuk ka marrë një përgjigje të qartë nga Rusia ndaj propozimeve të shumta për përfundimin e luftës. Bombardimet ruse edhe më tej vazhdojnë. Moska hesht për takimin e drejtpërdrejtë, një heshtje e çuditshme. Në njërën apo tjetrën mënyrë, Rusia duhet patjetër ta ndërpresë luftën, sa më shpejt, aq më mirë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Turqia përgatit diplomacinë për paqen Rusi - Ukrainë
Turqia ka intensifikuar përpjekjet e saj diplomatike për të lehtësuar bisedimet e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, duke shprehur gatishmërinë e saj për të pritur udhëheqësit e të dyja palëve. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, vlerësoi se përpjekjet e fundit kanë hapur një dritare të re mundësish dhe tha se “këtë herë mundësia nuk do të lejohet të shkojë dëm”.
“E trajtova këtë çështje edhe me presidentin e ShBA-së, z. Tramp, duke diskutuar hapat që mund të ndërmerren për të ndaluar gjakderdhjen. Unë mbështes vullnetin e mikut tim të çmuar, z. Tramp, për të zgjidhur konfliktet e nxehta përmes dialogut dhe diplomacisë.”, - theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka lënë të kuptohet se mund t’i bashkohet takimit të së enjtes në Stamboll, pasi sugjeroi se ekziston “potenciali për një takim të mirë. Komenti i Trampit ka qenë pak i vështirë të deshifrohet, por ai është shprehur se takimi nuk duhet nënvlerësuar.
“Mendoj se do të keni ndoshta një takim të mirë. Keni potencialin për një takim të mirë. Një takim nuk do të zhvillohej dhe unë këmbëngula që ai takim të zhvillohej. Mund të keni një rezultat të mirë nga takimi i së enjtes në Turqi dhe besoj se të dy liderët do të jenë atje. Po, mendoja të shkoja. Nuk e di se ku do të jem të enjten, kam kaq shumë takime. Ka një mundësi atje, nëse mendoj se gjërat mund të ndodhin.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Kujtojmë se deri më tani, nga të dy liderët, pjesëmarrja është konfirmuar vetëm nga Volodimir Zelenski, ndërsa siç është raportuar më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, ende nuk është zotuar publikisht për pjesëmarrje në asnjë nga këto bisedime.
FARIJE DAUTI BAKIJU
