Botë

Trampi për vizitë në Gjirin Persik, priten marrëveshje ekonomike

13.05.2025 16:56

Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, turneun ndërkombëtar në Gjirin Persik e filloi në Arabinë Saudite....

Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, turneun ndërkombëtar në Gjirin Persik e filloi në Arabinë Saudite. Pas mbërritjes së tij në aeroportin ndërkombëtar “King Khalid” në Riad,  u prit nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.
 
Turneu rajonal i presidentit amerikan, Tramp, përfshin gjithashtu ndalesa në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në udhëtimin katërditor, bisedimet do të përqendrohen më shumë në marrëveshjet ekonomike. Pritet që në këtë udhëtim të flasë edhe për lëvizjen drejt një armëpushimi në Gazë, por presidenti i ShBA-së është i përqendruar në mega-marrëveshje për të sjellë investime dhe vende pune në Amerikë. 
 
Në Riad zhvillohet Forumi i Investimeve Arabo-Amerikane, ku përveç Trampit, marrin pjesë edhe drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, si dhe kryediplomati amerikan, Marko Rubio. Udhëheqësit më të lartë të biznesit dhe teknologjisë në ShBA janë me të, për të nënshkruar projekte me vlerë më shumë se 1 trilion dollarë. Përpara udhëtimit të Trampit, ShBA-ja njoftoi një shitje armësh prej mbi 1.4 miliardë dollarësh në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë kësaj vizite pritet të njoftohen një sërë marrëveshjesh midis dy vendeve, duke përfshirë investime në inteligjencën artificiale, çipa, prodhim dhe energji. Trampi pritet të njoftojë gjithashtu shitje të madhe armësh në Arabinë Saudite.
 
Kujtojmë se Trampi ka zhvilluar një udhëtim në Arabinë Saudite në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të parë, kur priti një samit të madh të udhëheqësve nga e gjithë bota arabe dhe myslimane për të luftuar kundër terrorizmit dhe për t’iu kundërvënë Teheranit. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU