Rajon
Liderë botërorë urojnë Ramën
14.05.2025 11:11
Liderë botërorë e kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri....

Liderë botërorë e kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste kryeson thellë me numër të mandateve. Partia e Edi Ramës ka marrë 83 mandate.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer e ka uruar Ramën, siç ka shkruar ai, për “fitoren historike”, në zgjedhjet e 11 majit.
“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona.”, ka shkruar Starmer.
Ramën e ka uruar edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
“Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar.”, ka shkruar Zelenski. Më herët, Ramën e kanë uruar edhe kryeministrja e Italisë, Xhorxhia Meloni, kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
