BDI përshëndet largimin e Taravarit, Ahmeti: Jemi të gatshëm për bashkëpunim

14.05.2025 13:58

BDI përshëndet vendimin e Arben Taravarit për të dalë nga Qeveria...

BDI përshëndet vendimin e Arben Taravarit për të dalë nga Qeveria, ndërsa tha se me këtë hapet mundësia e bashkëpunimit në zgjedhje lokale. Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti, në emisionin ZOOM në TVM2.

Ahmeti theksoi se ditëve në vijim do të shihen mundësitë se si mund të arrihet te një bashkëpunim i tillë.

“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim, pasi që në vet momentin e kësaj qeverie pa legjitimitetin etnik, kësaj qeverie që punon kundër interesit shqiptar në vend, mundësitë për bashkëpunim janë të hapura dhe duhet parë se si mund të arrihet një i tillë, por në këtë moment nuk ka diçka konkrete.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti.

Spekulimet për transfere deputetësh në Qeveri, Ahmeti: Asnjë deputet nuk i bashkohet Qeverisë

Duke komentuar deklaratat e përfaqësuesve të VLEN-it për transfere të deputetëve nga Fronti Evropian në Qeveri, Ahmeti mohoi se do të ndodhë një gjë e tillë. Sipas tij, këtë retorikë VLEN-i e përdor që nga formimi i kësaj qeverie, por siç tha, jemi dëshmitarë se deputetët e Frontit Evropian po i qëndrojnë stoik këtij koalicioni.

“Asnjë deputet nuk iu bashkua pjesës së Qeverisë, nuk u bë pjesë e ekzekutivit dhe të njejtat i kanë edhe në këtë moment. Mendoj që e kanë për qëllime të veta, ndoshta për të qetësuar apo për të dhënë një shpresë të rrejshme tek aktivi i vet se nuk është duke ndodhur asgjë, se gjithçka është relative, por gjatë periudhës që vijon, brenda ditëve, javëve do të shihni se asgjë nga ajo që proklamojnë nuk është e vërtetë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Faton Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu tha se duke marrë parasysh se me largimin e ASh-së së Arben Taravarit nga koalicioni qeveritar, shumica parlamentare mbetet me nëntë deputetë, që sipas tij, ka mungesë serioze të legjitimitetit etnik, ndaj bëri thirrje se zgjidhja për dalje nga ky ngërç politik janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. (Ersan Pajaziti, TVM2)