Maqedoni

Tetovë, filluan punimet e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Jashtë Vardarit”

14.05.2025 14:10

Kasami bashkë me zëvendëskryeministrin e parë Mexhitin panë nga afër fillimet e punimeve për rrjetin e ujësjellësit në lagjen “Jashtë Vardarit”...

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhitin, panë nga afër fillimet e punimeve për rrjetin e ujësjellësit  në lagjen “Jashtë Vardarit”. Ky projekt financohet nga Qeveria e vendit dhe do të kushtojë 15 milionë denarë. Kasami tha se po punohet në të gjithë territorin e Tetovës për të përmirësuar rrjetin e ujësjellësit, që sipas Kasamit, ky problem nuk mund të zgjidhet brenda katër vitesh.
 
“Është investim diku 15 milionë denarë, që është faza e parë e mjeteve të siguruara nga Qeveria e vendit për vitin 2024. Po ashtu në kuadër të këtij promovimi është edhe promovimi i gypit kryesor të furnizimit më ujë të pijshëm të qytetit tonë. Deri më tani do të kisha thënë se 10% i rrjetit është riparuar dhe ka instalime të reja dhe ndjeshëm është përmirësuar furnizimi me ujë të pijshëm në Tetovë. Nuk është një punë që bëhet as brenda një viti, as për katër vite, një punë që nuk është bërë brenda 40 vitesh.”, -  deklaroi kreu i Tetovës, Bilall Kasami.
 
Zëvendëskryeministri Mexhiti tha se për dallim nga e kaluara, Qeveria ku është pjesë edhe VLEN-i, tha se kujdeset për investime në komunat shqiptare.
 
“Do të jetë një revolucion i investimeve kapitale. Çdo ditë do të punohet, diku do të veprojnë ekskavatorët, edhe aty që s’kanë vepruar asnjëherë, siç është kjo lagje që s’ka pasur asnjë investim institucional. Do të shkojmë cep me cep në çdo vendbanimin tonë e komunë për të zgjedhur problemet jetike të qytetarëve në këtë shekull siç është ujësjellësi.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
 
Përndryshe lagjja “Jashtë Vardarit” nuk ka as kanalizim, por Kasami premtoi se shumë shpejtë do të fillojnë punimet. Ndërkohë nuk tha përgjigje të saktë se kur do të përfundojë projekti i rrjetit të ujësjellësit që sot filluan punimet.
 
VISAR SADIKI