Rajon

Kosta viziton rajonin, sot në Prishtinë, nesër në Shkup dhe Tiranë

14.05.2025 14:45

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, sot do të vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor....

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, sot do të vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor. Zyrtari i lartë evropian do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kosta në Prishtinë arrin nga Beogradi, ndërsa kjo vizitë realizohet në një kohë kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet në fokus të agjendës evropiane për Ballkanin Perëndimor.
 
“Dialogu me Kosovën mbetet një nga kushtet kyçe për përparimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian.”, ka deklaruar Kosta gjatë vizitës në Beograd. 
 
Nga Prishtina, të enjten, presidenti i Këshillit Evropian, Kosta, do të qëndrojë në Shkup, ku do të pritet nga kryeministri, Hristijan Mickoski, dhe presidentja, Gordana Siljanovska Davkova. Ndalesa e tij e fundit në Ballkanin Perëndimor do të jetë në Tiranë, ku më 15 maj do të takohet me kryeministrin, Edi Rama, dhe presidentin, Bajram Begaj, si dhe do të marrë pjesë në një takim me studentët e Kolegjit të Evropës. Ndërsa më 16 maj, ai do të jetë bashkëorganizator i Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në kryeqendrën shqiptare në Tiranë.
 
GYLTENE SINANI