Maqedoni

Kuvend, deputetët e Taravarit do të shkojnë në opozitë

14.05.2025 15:35

Pesë deputetët e ASh-së, krahu i Arben Taravarit, vazhduan veprimin e tyre parlamentar nga vendet e njëjta në Kuvend...

Pesë deputetët e ASh-së, krahu i Arben Taravarit, vazhduan veprimin e tyre parlamentar nga vendet e njëjta në Kuvend, por në një frymë opozitare. Deputeti Halil Snopçe, në një komunikim për TVM2 tha se presin që fillimisht nëntë deputetët e VLEN-it të formojnë grup parlamentar dhe më pas do të vijojë veprimi i tyre si opozitë. Megjithatë Snopçe nga foltorja e Kuvendit kishte qasje opozitare duke kritikuar qeverinë se për tre muaj nuk i ka dhënë interpretim autentik propozim-ligjit për qeverisje lokale, i cili ul numrin e këshilltarëve komunal duke u bazuar vetëm në banorët rezidentë. Kërkesa e tij për tërheqjen e propozim-ligjit nga rendi i ditës u refuzua nga shumica.
 
“Nuk mund të eliminojmë impaktin e mërgimtarëve, votën e tyre, në përcaktimin e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve. Duke marrë parasysh këtë dhe kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me ligjin e propozuar. Unë nuk e kuptoj pse Qeveria edhe mbas tre muajve nuk ka dhënë mendim në lidhje me kërkesën tonë për interpretimin autentik.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe. 
 
Fronti i hapur për bashkëpunim me ASh-në
 
Cili do të ishte bashkëpunimi i tyre me Frontin Evropian, nga ky bllok opozitar paraprakisht janë shprehur të hapur për bashkëpunim, por duke mos shpalosur detaje.
 
“E përshëndetëm hapin e tyre, sa i takon reflektimit dhe asaj që u dëshmua se faktikisht shqiptarët janë të margjinalizuar dhe se nuk janë plotësuar nevojat e tyre në Qeveri. Kështu që si do të vazhdojë më tej bashkëpunimi, ne jemi opozitë. Ata do të veprojnë njësoj si opozitë në të ardhmen, do të tregojë koha, besoj.”, - theksoi  deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli.
 
Mexhiti: Loja zhvendoset tek Fronti Evropian
 
Për koalicionin VLEN, lëvizjet e deputetëve veç më kanë nisur. Izet Mexhiti paralajmëron trazira në terrenin e Frontit Evropian.
 
“Loja nuk ka përfunduar, loja ka filluar. Nëse dikush ka menduar që me lëvizjen e zotit Taravari ka përfunduar loja, atëherë do të shohim në vijim se kjo lojë do të vazhdojë dhe do të luhet në terrenin e Frontit Evropian.”, - u shpreh Izet Mexhiti nga kryetari i LD-së.
 
VMRO-ja distancohet nga Taravari
 
Edhe VMRO – DPMNE distancohet nga Taravari.
 
“Nuk duam që me ne në mazhorancë dhe në Qeveri të kemi njerëz të cilët bashkëpunojnë me BDI-në. Ne u premtuam qytetarëve se BDI do të shkojë në opozitë dhe ndaj tyre do të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e njëzet viteve të fundit.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Brane Petrushevski.
 
Taravari braktisi Qeverinë me pretekstin se nuk duan të jenë kukull në ekzekutiv, ku kërkesat e tyre për ndryshim nuk do të përfillen.
 
MERAL ISMAILI