Del nga shinat një tren në Filadelfia, ka viktima dhe të plagosur
Treni udhëtonte nga Uashingtoni drejt Nju Jorkut....

Një tren i kompanisë amerikane Amtrak që udhëtonte nga Uashingtoni për në Nju Jork me 238 pasagjerë në bord dhe 5 anëtarë ekuipazhi, doli nga shinat në Port Riçmond, pranë Filadelfias.
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 100 janë dërguar në spital për tu mjekuar. Por sipas burimeve të spitalit dhjetëra persona janë në gjendje kritike për jetën.
Për momentin autoritetet lokale që kanë nisur menjëherë hetimet përjashtojnë pistën e terrorizmit, edhe pse ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.
Për ekipet e ndërhyrjes së shpejtë është një garë kundër kohës për të shpëtuar sa më shumë pasagjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar mes hekurave dhe vagonëve.
Operacionet e shpëtimit janë edhe më të vështira për shkak të errësisrës në vend. Sipas dëshmive të para treni po i afrohej një kthese në momentin që të paktën 10 vagonë dolën nga shinat.
Në vendngjarje ndodhen dhe agjentë të FBI, ndërsa sipas burimeve të CNN nuk ka asnjë të dhënë që lidh ngajrjen me një akt terrorizmi.
