Maqedoni
Kuvend, Ligji për tragjedinë në Koçan nuk votohet në rend
14.05.2025 16:13
Ligji për të ndihmuar familjarët e viktimave dhe të prekurve të tjerë nga tragjedia në Koçan nuk mori mbështetjen e deputetëve....

Ligji i propozuar nga LSDM për të ndihmuar familjarët e viktimave dhe të prekurve të tjerë nga tragjedia në Koçan nuk mori mbështetjen e deputetëve për t'u futur në rendin e ditës në seancën parlamentare. Deputeti nga radhët e LSDM-së, Oliver Spasovski, adresoi kritika ndaj shumicës parlamentare për mosgjetjen e mbështetjes për ligjin në fjalë, që sipas tij, është obligim moral dhe institucional. Ky ligj duhet të unifikojë të gjitha subjektet politike u shpreh Spasovski.
“Për ne është e çuditshme dhe e papranueshme se si VMRO-DPMNE dhe shumica qeveritare refuzojnë që të diskutohet për këtë propozim që e dorëzoi LSDM dhe koalicioni. Ky ligj ofron çdo mbështetje të mundshme familjarëve të viktimave, por edhe atyre të tragjedive të tjera. Mendoj se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe e pakuptueshme se përse refuzohet një zgjidhje e tillë ligjore.”, - deklaroi Oliver Spasovski nga LSDM.
Deputeti Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE tha se nuk do ta mbështesin këtë ligjin, sepse sipas tij, nuk do të lejojnë që tragjedia e Koçanit të keqpërdoret për marketing politik. Ky ligj sipas VMRO-DPMNE-së është pjesërisht i pazbatueshëm, pjesërisht bie ndesh me ligje të tjera, ndërsa përputhet me një pjesë tjetër ligjore.
“Kjo tregon se bëhet fjalë për dokument që më shumë do të shfrytëzohet për marketing politik se sa për mbështetje të vërtetë. Ligji në mënyrë eksplicite i favorizon viktimat e ngjarjeve të caktuara duke injoruar tragjedi tjera të ngjashme. Ky është një precedent që të drejtat të bazohen në ngjarje konkrete në vend të sistemit universal dhe të drejtë për të gjithë viktimat e fatkeqësive dhe katastrofave. Kjo e shkel parimin kushtetues për barazi të qytetarëve para ligjit.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Ligji i propozuar për të ndihmuar familjarët e viktimave dhe të prekurve të tjerë nga tragjedia në Koçan, sipas LSDM-së, parasheh kompensim për familjet që kanë humbur një anëtar në vlerë prej 80.000 euro, si dhe mjete financiare të ndara në kategori në bazë të invaliditetit, që kanë marrë të lënduarit e mbijetuar. Ligji parashikonte gjithashtu qasje prioritare në shërbimet e kujdesit shëndetësor – për trajtim, rehabilitim – me shërbimet që mbulohen nga shteti, brenda dhe jashtë vendit, mbështetje në arsim dhe punë.
FLORIJE KAMBERI
